Të tjera
BE me plan kundër hyrjes së emigrantëve përmes Ballkanit

Bashkimi Evropian shprehu të hënën shqetësimin e tij nga rritja e valës së imigrantëve ilegalë, të cilët hyjnë në BE përmes territorit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe shpalosi një plan për adresimin e tyre.
Sipas të dhënave që posedon Komisioni Evropian, vetëm në muajin tetor të këtij viti, në BE kanë hyrë më shumë se 22.000 imigrantë ilegalë, përmes kësaj rruge.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shifra paraqet rritje për 300 për qind.
Statistikat e Frontex-it – agjencisë evropiane për ruajtjen e kufijve – tregojnë se në dhjetë muajt e parë të këtij viti, mbi 281.000 imigrantë ilegalë kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor.
Për t’u përballur me këtë fenomen, Komisioni Evropian paraqiti një plan-veprimi për Ballkanin Perëndimor.
Sipas këtij plani, që prezantuan nënkryetari i KE-së, Margaritis Schinas, dhe komisionarja për punë të brendshme, Ylva Johansson, menaxhimi i kufijve me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të forcohet.
Po ashtu, duhet të sigurohet qasje e shpejtë në sistemin e azilit, kapacitet për pranimin e refugjatëve, pastaj të luftohet trafikimi i migrantëve, të zbatohen marrëveshjet për ripranim dhe riatdhesim, si dhe të përshtatet regjimi i vizave i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.
Në BE thonë se problem serioz paraqet fakti se në vende si Serbia, disa shtetas të vendeve të treta mund të hyjnë pa viza, e pastaj ata vazhdojnë rrugën ilegale drejt Bashkimit Evropian.
Serbia, para disa javësh, ka premtuar se do t’i rikthejë vizat për shtetasit e disa vendeve, si Burundi dhe Tunizia, ndërsa Komisioni Evropian pret nga Beogradi që këtë hap ta bëjë edhe kundrejt disa shteteve tjera.
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të përshtaten me politikën e vizave të BE-së. Në të kundërtën ka paralajmëruar se rrezikohet edhe liberalizimi i vizave që BE-ja ka me shumicën e vendeve të këtij rajoni.
“Nuk është e pranueshme që vendet e rajonit, që gëzojnë liberalizim vizash me BE-në, të lejojnë që territori i tyre të përdoret për ardhjen ilegale të imigrantëve drejt BE-së”, tha Schinas.
“Duhet t’i forcojmë kapacitetet e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të kontrolluar kufirin, duke i ndihmuar ato edhe përmes pranisë së BE-së në terren dhe përmes goditjes së rrjeteve të trafikimit të njerëzve”, shtoi ai.
Schinas, në mënyrë specifike, përmendi kontrollin e kufirit mes Serbisë dhe Hungarisë – vend anëtar i BE-së.
Aktualisht, BE-ja ka të shpërndarë rreth 500 zyrtarë të agjencisë Frontex në kufijtë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, Komisioni Evropian kërkoi që Frontex-i të ndihmojë edhe në kontrollin e kufijve mes vendeve të rajonit.
Johansson kërkoi që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian t’i regjistrojnë imigrantët që hyjnë në territoret e tyre.
Ajo tha se numri i kërkuesve të azilit është shumë më i lartë se numri i hyrjeve të regjistruara në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Johansson, po ashtu, përmendi nevojën që Serbia, sa më shpejt, ta përshtatë regjimin e vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Serbia po ndryshon politikën e saj me Tunizinë dhe Burundin, ka premtuar se këtë do ta bëjë edhe me Indinë… Shumica e atyre [imigrantëve ilegalë] që kanë arritur në BE, kanë ardhur përmes Serbisë”, tha Johansson, duke rikujtuar se obligimi për të përshtatur regjimin e vizave, vlen edhe për vendet e tjera të rajonit.
E pyetur nga gazetarët nëse ka raste të keqpërdorimit të hyrjes pa viza edhe nga vende të tjera, jashtë Serbisë, Johansson tha se “sa u përket ardhjeve masive, ato kanë ndodhur vetëm në rastin e Serbisë”.
Por, ajo shtoi se BE-ja duhet të jetë vigjilente edhe ndaj vendeve të tjera në të ardhmen, kur Serbia të rivendosë viza për shtete të caktuara dhe ardhjet të bëhen përmes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga gjashtë vendet e këtij rajoni, që nuk janë anëtare të BE-së, liberalizim vizash me bllokun evropian kanë: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina/rel
E-Diaspora
-
Shoqatat shqiptare në Zvicër, në fokus të numrit të ri të revistës Albinfo.ch Revista është përqendruar në shoqatat, rrjetet dhe lëvizjet që kalojnë suazat lokale ose regjionale, dmth që...
-
Zhvillo karrierën tënde aty ku vlerësohet: smzh ag të ofron më shumë se një vend pune
-
Akuzohet kosovari, i dyshuar si shef i “degës zvicerane” të organizatës terroriste
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj