Kosova
BE-ja përsëri i kërkon Serbisë t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë
Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë sërish thirrje Serbisë për të ndërmarrë hapat të menjëhershëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, në vjeshtën e vitit 2023.
“Ne e kemi marrë parasysh paralajmërimin e zyrës së prokurorit të lartë në Beograd më 2 dhjetor 2024 për hapjen e hetimeve në këtë rast”, tha një zëdhënës i bllokut të premten, përcjell albinfo.ch.
Ai shtoi se Serbia është e detyruar të bashkëpunojë në hetimet për rastin e Banjskës.
Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e cila mohon përfshirjen.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë , duke deklaruar se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.
Në dhjetor, kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha se vendimi për të ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit, do të merrej deri në fillim të vitit 2025.
Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për vepra të tjera penale, përkatësisht për “krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.
Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së e përsëriti të premten se për Serbinë përparimi në bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian do të varet edhe nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe nga sundimi i ligjit.
Vendet anëtare në BE-së në dhjetor nuk ishin pajtuar se Serbia i ka përmbushur të gjitha kushtet për të hapur disa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit, edhe pse Komisioni Evropian kishte dhënë vlerësimin se ato kushte ishin përmbushur nga ana e Beogradit.
Disa shtete anëtare kundërshtimin për hapjen e këtyre kapitujve e kishin arsyetuar me mungesën e rezultateve në sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Disa shtete të BE-së janë sidomos të pakënaqura me faktin se nuk ka akoma as aktakuzë ndaj Radoiçiqit.
E-Diaspora
-
Ngjarja tragjike në Crans-Montana, nuk raportohet për shqiptarë të prekur Ambasada e Kosovës në Bernë: Deri tani asnjë kosovar i konfirmuar në mesin e viktimave në... -
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane
Jeta në Austri
-
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad... -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026










