Lajme
BE-ja nuk guxon të flejë mbi dafinat e suksesit të ndërmjetësimit në Maqedoni
Suksesi më i ri i ndërmjetësimit të BE-së nuk guxon të fshehë sfidat e mëdha që presin Maqedoninë, thuhet në një analizë të botuar në portalin foraus.ch

Aksione përgjimi, demonstrata, represion: Maqedonia aktualisht është duke përjetuar një skandal qeveritar të përmasave të padëgjuara. Në të njëjtën kohë, çojnë krye edhe konfliktet etnike. Dhe fakti se Rusia bën plan të ndërtojë një gazsjellës që do të kalojë përmes Maqedonisë nuk e bën situatën më të qetë. BE-ja nuk guxon të vetëkënaqet mbi suksesin e ndërmjetësimit të arritur rishtas.
Dielli përcëllon mbi sheshin qendror të Maqedonisë, në zemër të Shkupit, shesh ky i mbushur me ndërtesa të reja luksoze reprezentative: ministri, muze, ura, monumente, të gjitha në një stil eklektik, të llojit të barokut, të cilin me të drejtë mund ta quajmë krekosje kulturore maqedonase, shkruajnë Max Stern dhe Aleksandra Risteska në portalin foraus.ch. Një përpjekje e dyshimtë që përmes kiçit nacionalist të promovohet kërkimi i një identiteti shtetëror. Një arkitekturë e pashije e cila tregon në mënyrë të qartë se si e parafytyron qeveria në fuqi këtë identitet: pakicat etnike pothuajse nuk figurojnë, ashtu si dhe as e kaluara socialiste, transmeton albinfo.ch.
Edhe pallati i kryeministrit duket sikur të ishte ndërtuar në shekulli e 19. Në fakt atij posa i është dhënë dora e fundit. Dhe, ndonëse ai tash rrezaton më bardh se Shtëpia e Bardhë (e Uashingtonit), pamja është e trazuar: Në rrugë para selisë qeveritare po fushon prej 50 ditësh një koalicion i larmishëm i kundërshtarëve të qeverisë. Stefan Bogoev, kryetar i organizatës rinore të socialdemokratëve dhe njëherësh deputet, e bën të qartë: “Ne ikim kur të ketë ikur kryeministri”.
Skandali i përgjimeve dhe lufta e Kumanovës
Shkaku për protestë: Opozita, nga fillimi i këtij viti ka prezantuar material të shumtë përmes të cilit ka dokumentuar se si me mijëra opozitarë, ambasadorë, njerëz të medieve etj. janë përgjuar. Në mënyrë suksesive ajo publikonte protokolle dhe incizime të aksionit të përgjimeve në të cilat flitet qartë lidhur me korruptimet, ushtrimin e presionit, manipulimet e zgjedhjeve dhe malverzimet tjera ilegale – ndërmjet eksponentëve të lartë dhe atyre më të lartë. Zoran Zaev, kryetar i Partisë Socialdemokratike për këtë arsye kërkon gjithnjë e më zëshëm dorëheqjen e kryeministrit Gruevski. Një kërkesë të cilës ndërkohë i janë bashkuar grupime të ndryshme. Në vapën e asfaltit përvëlues ata rrinë ulur para pallatit të qeverisë dhe para tendave.
Kur para dy muajsh policia kishte zhvilluar një betejë dyditëshe me luftëtarë shqiptarë etnikë në qytetin e vogël të Kumanovës (dhe me atë rast kishte përdorur edhe artilerinë) qe shfaqur dyshimi se përmes kësaj, qeveria donte të hiqte vëmendjen nga skandalet e përgjimit dhe në të njëjtën kohë të ndizte edhe zjarrin e një konflikti etnik. Për shkak të rrezikut te përshkallëzimit të mundshëm, BE-ja u tregua aktive. Nën ndërmjetësimin e komisarit për zgjerim, Johannes Hahn, u arrit që partia qeveritare dhe opozita të pajtohen në parim për zgjedhje të reja që do të mbaheshin në fillim të vitit 2016, shkruan voraus.ch dhe përcjell albinfo.ch. Por më 9 korrik socialdemokrati Zaev i ndërpreu negociatat sepse Gruevski refuzonte që të dorëhiqej së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve për t`i lënë vendin një qeverie kalimtare teknike e cila do të përgatiste zgjedhjet. Mirëpo tash duket se në momentin e fundit është gjetur megjithatë një zgjidhje. Pak pas mesnatës së 15 korrikut Hahn kumtoi: “This is an important step in overcoming the curent crisis and towards addressing key challenges facing the country” (ky është një hap i rëndësishëm në tejkalimin e krizës aktuale dhe drejt adresimit të sfidave kyçe për vendin).
Suksesi i marrëveshjes, ende i dyshimtë
Dorëheqja e premierit, zgjedhjet e reja, një hetues special për skandalin e përgjimeve dhe një zotim për integrimin euroatlantik: Ai që e njeh Maqedoninë, vazhdon të mbetet skeptik për të gjitha këto. Sepse një pajtim të ngjashëm në mes të partive në konflikt, BE-ja e kishte realizuar që në vitin 2013, por me një sukses të dyshimtë. Veç kësaj, skandali i përgjimeve nuk është problemi i vetëm i vendit.
Me një shkallë papunësie prej afër 30 % dhe me një pagë mesatare prej 350 eurosh Maqedonia është në pjesën e poshtme të listës së shteteve të Ballkanit. Por Evropa duhet të parandalojë rënien në harresë të vendit sepse përndryshe në vend të saj hidhet me dëshirë Rusia. Për projektin e gazpërçuesit “Turkish Stream” që kalon nga Turqia dhe shkon drejt BE-së nëpër Greqi, Maqedoni dhe Serbi, Putini i bën një shërbim të mirë qeverisë maqedonase me tendenca autoritare. Ambasadori i tij e mbron këtë qeveri dhe hedh akuza drejt perëndimit që sipas rusëve e ka prodhuar vetë gjithë skandalin e përgjimeve.
Nëse nuk vepron BE-ja, fiton terren Rusia e Putinit
Akoma më e harruar se vetë Maqedonia është roli i saj si rrugë refugjatësh nga Greqia drejt Hungarisë. Qindra sirianë, irakianë dhe afganë kalojnë çdo ditë nëpër Maqedoni, tashmë edhe me biçikleta të cilat maqedonasit e gjindshëm ua huazojnë.
Evropa, krahas krizave me Greqinë dhe Ukrainën nuk guxon të lë padore shtetet periferike si Maqedonia. Mund të duket joshëse të mbyllen të dy sytë – për faktin se disa tregues ekonomikë këtu janë më pak të mjerueshëm se në shtetet fqinje (inflacioni, borxhet shtetërore, rritja ekonomike) – por me këtë strategji është pothuaj i paraprogramuar përshkallëzimi i konfliktit me pasoja shkatërruese për popullsinë e vendit dhe madje ndoshta edhe për Ballkanin. Pra nuk bën të harrohet se regjioni para vetëm dy dekadave ka kaluar një luftë qytetare dhe se karakteri shumëkombësh i Ballkanit vazhdon të krijojë tensione në shtetin e ri të ish Jugosllavisë.
Ajo që i duhet Maqedonisë nuk është propaganda nacionaliste e udhëhequr nga një shtet i kontrolluar në mënyrë autoritare por presioni nga jashtë për të tejkaluar një sistem të bazuar në klientelizëm dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut. BE tash nuk guxon të flejë mbi dafinat e suksesit të arritur të ndërmjetësimit por të përcjellë nga afër jetësimin praktik të marrëveshjes në mes të aktorëve politikë në vend. Se a do ë jetë e aftë ta bëjë këtë, do të shihet qysh në muajin shtator në dialogun e nivelit të lartë , me ç`rast edhe njëherë do të debatohet nëse do të fillojnë negociatat me Maqedoninë për hyrje në BE.
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje Një grua 23-vjeçare është therur disa herë për vdekje në mënyrë që një grua me pamje...
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
-
Astrit Krasniqi diplomon me nderime nga Akademia Policore e Nju-Jorkut
-
“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik
Jeta në Austri
-
Deri në 36°C: Ditë të nxehta përpara në të gjithë Austrinë Vala e ardhshme e të nxehtit në Austri është këtu: deri në 36°C, qiell me diell...
-
Borxhi i Austrisë po rritet, rritja mbetet e ulët
-
Austri: 121.40 euro shtesë për çdo fëmijë në gusht
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak