Lajme

BE-ja ndihmon Greqinë në krizën me refugjatët nga Turqia

Greqia ka forcuar masat e mbrojtjes së kufijve të saj me Turqinë, por megjithëkëtë shteti grek ka vazhduar të vërshohet nga refugjatët. E Ankaraja ka njoftuar se deri më tani së paku 78 mijë refugjatë janë nisur drejt Edirnes, qytetit turk që kufizohet me Greqinë dhe Bullgarinë.

Situata e prodhuar nga hapja e kufijve të Turqisë për refugjatë, pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në Idlib të Sirisë, vazhdon të jetë e tensionuar edhe në Egje. Vetëm në ishullin Lesbos, deri më tani kanë mbërritur mbi 300 refugjatë, raporton KTV.

Në pamundësi për ta kontrolluar gjendjen, autoriteti i kontrollit kufitar Frontex ka paralajmëruar dërgimin e përforcimeve në kufijtë grekë. Si rrjedhojë, niveli i alarmit në të gjithë kufijtë e Bashkimit Evropian me Turqinë është ngritur në shkallën “i lartë”.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i siguroi Greqinë dhe Bullgarinë për mbështetje.

Ndërkaq presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të hënën se mijëra refugjatë veç e kanë kaluar kufirin e vendit të tij dhe ka paralajmëruar se numri i atyre që do të arrijnë në Greqi mund të shkojë në miliona. Ai me këtë rast i bëri thirrje BE-së që të marrë përgjegjësi për krizën me refugjatët.

Me qëllim që të shtonte presionin ndaj BE-së, Turqia hapi kufijtë drejt Greqisë për miliona të zhvendosur që kanë qëndruar në shtetin turk, përcjell Albinfo.ch