Lajme

BE investon 1 miliard euro në inteligjencën artificiale për të konkurruar me SHBA-në dhe Kinën

Komisioni Evropian ka shpallur një investim prej rreth 1 miliard euro për të rritur përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në ekonomi, me qëllim që të fuqizojë konkurrencën e BE-së ndaj SHBA-së dhe Kinës.

Fondet do të përdoren për zhvillimin e teknologjive si automjetet autonome në qytete dhe qendrat shëndetësore të mbështetura nga IA-ja. Gjithashtu, BE do të financojë qendra kërkimore që do t’u ofrojnë studiuesve akses në teknologjitë më të avancuara të IA-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se inteligjenca artificiale mund të sjellë zgjidhje më të shpejta, më të zgjuara dhe më të përballueshme në të gjithë sektorët ekonomikë.

“Do të promovojmë përdorimin e IA-së në fusha si robotika, kujdesi shëndetësor, energjia dhe transporti”, theksoi ajo.

Sistemet shëndetësore janë një nga prioritetet kryesore. Teknologjia pritet të ndihmojë në diagnostikim më të saktë përmes analizave të imazheve mjekësore dhe të përmirësojë trajtimet për pacientët.

BE planifikon gjithashtu të investojë në IA në sektorë si:

Transporti dhe industria e makinave

Prodhimi, ndërtimi dhe inxhinieri

Energjia, klima dhe mjedisi

Bujqësia dhe ushqimi

Mbrojtja dhe siguria

Mediat dhe industritë krijuese

Sektorë si financa dhe turizmi nuk janë përfshirë për momentin, por mund të shqyrtohen më vonë.

Kjo strategji është ndërtuar mbi rekomandimet e Mario Draghit, ish-kryeministër i Italisë dhe ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, i cili sugjeroi që IA të shihet si një zgjidhje kryesore për sfidat e sotme.

Megjithatë, industria e teknologjisë ka shprehur shqetësime se rregullat burokratike të BE-së po pengojnë risitë dhe zhvillimin në këtë fushë.