Lajme

Bastiset Zyra e Kadastrës Komunale në Graçanicë

Policia Ekzekutive e EULEX-it ka kryer bastisje në Zyrën e Kadastrës Komunale në Graçanicë, duke përfshirë edhe zyrat e shefit dhe drejtorit, të saj.

“Bastisjet janë kryer në kontekst të një hetimi për keqpërdorimin e pozitës zyrtare  lidhur me regjistrat e rrejshëm të privatizimit të ish ndërmarrjeve shoqërore”, ka bërë të ditur EULEX.

Bastisjet ishin autorizuar nga një Gjykatës i EULEX-it për Procedurë Paraprake në Prizren.

EULEX, ka bërë të ditur se policia është duke intervistuar katër persona nga Zya e Kadastrës Komunale.

Një Prokuror Special i EULEX-it ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes në Zyrën e Kadastrës Komunale, me qëllim të mbikëqyrjes dhe sigurimit të mbledhjes efektive të provave materiale dhe sigurimin e një shpjegimi të plotë dhe të duhur për personat e pranishëm në vendin e ngjarjes.

Hetimi është nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it nga Prokuroria Speciale.