CH-Ballkani

Barometri i Ballkanit

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar Barometrin e Ballkanit 2017, ku ka matur besimin e opinionit publik dhe të biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi dhe Kroaci. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe sondazhet me bizneset dhe opinionin janë realizuar nga GFK.

Për Shqipërinë, ndërsa besimi i opinionit publik është pak mbi mesataren e rajonit, rezultatet janë shumë negative për biznesin, ku besimi është më i ulëti në rajon, shumë nën mesataren, sidomos për sa i përket indeksit të situatës aktuale.
Barometri nënvizon shqetësimin në rritje për korrupsionin; në vitin 2015, 15% e cilësuan korrupsionin si shqetësimin kryesor. Kjo shifër u rrit në 27% më 2016-ën dhe tashmë ka arritur në 32%”, shkruan RCC, përcjell albinfo.ch.

Siç shkruan Monitor, raporti thekson se duke parë tendencën nga 2014 në 2016, pritshmëritë janë përmirësuar vit pas viti në rajon, por përjashtim këtu përbën vetëm Shqipëria, që nuk ka parë përmirësim.
Indeksi është tashmë mbi 50% kudo, përveçse në Bosnjë e Hercegovinë dhe ka shënuar rritje të ndjeshme në ekonomi që më parë nuk rezultonin me ecuri të mira, si p.sh. Serbia.

Në barometrin e vitit 2017, pikëzimi aktual i Indeksi të Besimit Publik të Ballkanit (që mat mesataren mes situatës aktuale dhe pritshmërive) ishte 41, ku niveli më i lartë i besimit është në Kosovë (56), e ndjekur nga Mali i Zi (49), Maqedonia (45), Shqipëria (43), Kroacia (42), Serbia (39) dhe e fundit është Bosnja, me 34 pikë.

Vlera e lartë e indeksit në Kosovë është e lidhur me nivelin jashtëzakonisht të lartë të indeksit të pritshmërisë (73). Në Bosnjë, që është shteti më pesimist i Ballkanit, problemet e vazhdueshme politike kontribuojnë direkt në pesimizmin e popullsisë, pavarësisht se perspektiva ekonomike është përmirësuar.

Për Shqipërinë, Indeksi i Situatës Aktuale është 37 (e katërta pas Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë), ndërsa Indeksi i pritshmërive rritet në 52 (e pesta pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë).
Pyetjes se sa i kënaqur jeni me mënyrën si po shkojnë gjërat në vendin tuaj, për Shqipërinë 59% janë përgjigjur ”jam tërësisht i pakënaqur”, ose “kryesisht i pakënaqur”, ndërsa 22% kanë pohuar se janë kryesisht të kënaqur. Më të pakënaqurit në Ballkan janë qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, me 71%.

Shqiptarët renditen nga fundi edhe kur pyeten se sa të kënaqur janë me situatën e tyre financiare, ku sërish 53% thonë se janë të pakënaqur (tërësisht ose kryesisht), përqindja më e lartë nga gjithë Ballkani. Edhe në lidhje me situatën ekonomike, sërish ka një nivel të lartë pakënaqësie, me 67% të të anketuarve që janë të pakënaqur (kryesisht ose tërësisht), duke lënë pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Shtetasit më të kënaqur me ekonominë e tyre janë malazezët.
Problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët janë papunësia (59%), situata ekonomike (47%) dhe korrupsioni (38%).