Lajme

Bankat në Kosovë janë të sigurta dhe kanë besueshmërinë e duhur

Bankat komerciale të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë,janë të sigurta dhe janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës performanca e mirë e 8 bankave tregon edhe besueshmërinë dhe sigurinë që kanë ato.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada ka deklaruar se performanca pozitive dhe e qëndrueshme financiare është objektiv fundamental i secilës bankë.

“Të gjithë treguesit janë pozitivë, dhe mund të themi se bankat që operojnë në Kosovë janë të sigurta dhe të shëndetshme. Bankat në Kosovë janë likuide dhe afarojnë pozitivisht, për momentin”, ka bërë të ditur ai, rasporton radoi Evropa e lirë.

Bazuar në të dhënat e tetorit të sivjetmë, gjithsej kreditë në sektorin bankar evidentohen rreth 1.656 miliardë euro, të cilat krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shënuar rritje për afër 17.1 për qind.

Ndërsa gjithsej depozitat evidentohet rreth 2.076 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore përafërsisht 16.9 për qind.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi iu kanë bërë thirrje bankave që të jenë të kujdesshme, kur bëhet fjalë për depozitat e qytetarëve.

Kurse njohës të çështjeve ekonomike, kanë vlerësuar se paratë e qytetarëve, depozitat e tyre apo të depozituesve të tjerë janë në nivel të kënaqshëm të sigurisë.

Sipas Arian Zekës nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ndërtimi i sistemit bankar në Kosovë është me siguri njëri prej rrëfimeve më të suksesshme në Kosovën e pasluftës, raporton REL.

Për një qëndrueshmëri të tillë të tetë bankave komerciale në Kosovë, Zeka vë në pahë rolin e rëndësishëm që ka luajtur Banka Qendrore e Kosovës, si trup rregullativ i sistemit financiar.