Lajme

Bankat e Kosovës nisin me formatin IBAN

Nga fillimi i kësaj jave ka nisur funksionimi i formatit IBAN të llogarive bankare në Kosovë

Që nga dita e hënë, me 2 shkurt, numrat e llogarive bankare në Kosovë do të kenë në funksionim edhe formati IBAN (Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare). Formati IBAN Kjo konsiderohet e arriture madhe për bankat kosovare, të cilat kanë kod të veçantë bankar.

Sipas një njoftimi lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përdorimi i IBAN-it në Kosovë është i rregulluar nga BQK-ja me Rregulloren për Sistemin e Numrave Standardë të Llogarive Bankare, ndërsa bankat përkatëse ia përcaktojnë çdo llogarie të klientëve të saj, në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 13616.

Formati IBAN i llogarive bankare përbëhet prej njëzetë (20) karakteresh. Katër (4) karakteret e para janë të njëjta për të gjitha llogaritë bankare XK05, duke përfaqësuar në mënyrë unike karakteret e identifikimit të shtetit në formatin IBAN, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) karakteret e tjera përfaqësojnë numrin e llogarisë bankare të klientit.

Qëllimi parësor i përdorimit të formatit IBAN, sipas BQK-së, është zvogëlimi i rrezikut të gabimeve në transkriptimin e numrave të llogarive bankare, duke përkufizuar ato në mënyrë strukturore dhe aritmetike.

Formati IBAN do t’i lehtësojë pagesat ndërkombëtare në Kosovë, duke iu mundësuar bankave të jashtme identifikim më të qartë dhe kontroll plotësues të saktësisë së llogarive bankare në Kosovë. Po ashtu, përdorimi i formatit IBAN do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të bankave të vendit tonë, si dhe paraqet një hap me rëndësi drejt integrimit evropian në lëmin e pagesave.

Në regjistrin zyrtar të IBAN-it, Kosova është e listuar krahas vendeve të tjera të botës që e përdorin IBAN-in në pajtim me ISO 13616

Ndryshe, me zbatimin e kodit IBAN, Kosova ka kompletuar identitetin e vet bankar, pasi që vitin e kaluar, ka nisur edhe kodin e veçantë bankar SWIFT. Për më tepër, përdorimi i formatit IBAN, siç thuhet, do të forcojë afirmimin ndërkombëtar të institucioneve financiare të vendit.