Lajme

Banesat në Zvicër, qeveria synon rritjen e ndërtimit përmes fondeve publike

Zvicra përballet me mungesë banesash, qeveria propozon rritjen e fondeve

Qeveria zvicerane ka prezantuar masa të reja për të adresuar krizën në tregun e banesave, e cila po përkeqësohet në mbarë vendin. Të enjten, Zyra Federale për Banesa (BWO) bëri të ditur planin e saj për të zbutur mungesën në rritje të banesave, përcjell albinfo.ch.

Sipas BWO-së, qeveria synon të rrisë fondin rrotullues që përdoret për dhënien e kredive ndaj zhvilluesve publikë të banesave. Këto mjete financiare do të shërbejnë për ndërtimin, rinovimin dhe blerjen e pronave të reja banesore.

Falë këtij fondi rrotullues, çdo vit në treg shtohen rreth 1.400 njësi banimi të reja. Megjithatë, kjo shifër mbetet larg nevojave reale të vendit.

Sipas vlerësimeve të Zyrës Federale për Banesa, Zvicra ka nevojë për rreth 5.000 deri në 6.000 njësi banimi çdo vit për të përballuar kërkesën në rritje të popullsisë dhe presionin në tregun e pasurive të paluajtshme.

Autoritetet paralajmërojnë se, pa masa shtesë dhe investime afatgjata, mungesa e banesave mund të vazhdojë të thellohet, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e qirave dhe në aksesin e qytetarëve ndaj strehimit të përballueshëm.