Lajme

Banesa si “kërpudha”, çmimi shumë i lartë

Objekte të larta janë ndërtuar në të gjitha qytetet e Kosovë, ndërsa vetëm në Prishtina janë ndërtuar më shumë se 5 mijë objekt banimi. Çmimi i banesave mbetet shumë i lartë

Që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë ndërtuar mijëra objekte banimi, megjithatë çmimi i banesave vazhdon të mbetet i lartë. Objekte të larta janë ndërtuar në të gjitha qytetet e Kosovë, ndërsa vetëm në Prishtina, sipas disa statistikave, janë ndërtuar më shumë se 5 mijë objekt banimi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, thuhet se numri i përgjithshëm i banesave të zakonshme në gjithë territorin është 412 484, ndërsa vetëm në Prishtinë, e cila ka rreth 200 mijë banorë, thuhet se ekzistojnë mbi 50 mijë banesa.

Në Prishtinë pothuajse nuk ka mbetur vend i gjelbëruar pa u mbushur me ndërtime, madje ka lagje ku nuk ka mbetur hapësirë për ndërtime, njofton REL.

Pavarësisht se objektet kanë dalë si “kërpudhat pas shiut”, çmimi i tyre vazhdon të mbetet i lartë, madje i njëtrajtshëm me atë të pra disa viteve.

Sipas një hulumtimi që ka bërë  agjencia e patundshmërive “Intercapital” në Prishtinë është çmimi më i lartë për një metër katror arrin deri në 2 000 euro, në qendër, kurse ai më i liri në 700 euro në lagjen Mati 1.

Arben Asllani, nga kjo agjenci, thotë se në këtë hulumtim përfshihen çmimet e shitjes për ndërtimet e reja e të vjetra, si dhe kompensimi për pronarët e tokave nga ana e investitorëve për ndërtime të larta.

“Konkurrenca e madhe në vend ka bërë që çmimi i shitjes së banesave në 3-4 vitet e fundit të ketë një rënie të lehtë prej 5 deri në 10 për qind.  Kjo rënie vërehet sidomos në ndërtimet e reja në përgjithësi”, thotë Asllani. Por, udhëheqës të disa kompanive ndërtimore thonë se nuk ka rënie të çmimeve, e as interesim për blerje.

Shpend Bajra, drejtor i shitjes në kompaninë e ndërtimeve “Princesha”, tregon çmimet në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. “Në lagjet Bregu i Diellit, Kalabria, Mati 1, çmimi shkon deri në 900 euro m2, varësisht nga mënyra e pagesës dhe kati i ndërtesës. Në Lagjen e Spitalit çmimet arrijnë deri në 750 euro, ndërkaq në qendër çmimi për m2 shkon deri në 1 100 euro”, thotë ai. 

Disa qytetarë thonë se çmimi i banesave është shumë i shtrenjtë, ndërsa ndërtimet nuk kanë cilësi të duhur.

Etan Ratkoceri, jurist me profesion, thotë se çmimet e banesave në Kosovë janë pothuajse të njëjta me çmimet në vendet e zhvilluara në BE.

 “Zona e parë është shumë e shtrenjtë, nga 1 500 deri në 2 000. Me këtë çmim blen banesa edhe në Evropë. Në kryeqendrat e Evropës 2 000 euro kushton m2, në Bruksel, Strasburg dhe Vjenë”, njofton Etani.  

 Ndryshe, mundësitë për blerje të banesave mund të realizohen edhe përmes sektorit bankar. Kohëve të fundit bankat po përpiqen të promovojnë kreditë hipotekare për individë. Ofertat duken të jenë mjaft tërheqëse.

 Kushtet kryesore për të përfituar kredi janë që të kesh të ardhura dhe të ofrosh kolateral. Bankat financojnë deri në 80 për qind të vlerës së banesës, ndërsa afati i kredisë mund të shkojë deri në 20 vjet.

 Në bazë të të gjeturave të Bankometrit të institutit për studime të avancuara “GAP”, të publikuar në qershor të këtij viti, interesi nominal i kredisë për shtëpi shkon prej 9 deri në 10.6 për qind, apo në mesatare diku 10 për qind. Ndërkaq, kostoja administrative për këtë lloj kredie është nga 1 deri në 2 për qind.