Lajme

Ban Ki Moon bën thirrje për dialog

Kryeministri Thaçi ia ka bërë me dije sekretarin të Përgjithshëm Ban Ki Moon se OKB nuk do të përfshihet në dialog me Serbinë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon takoi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidenten Atifete Jahjaga. Ai fillimisht u shpreh i shqetësuar me situatën e sigurisë në veri të vendit, ndërsa kërkoi zgjidhje nëpërmjet dialogut. Po ashtu ai tha se negociata me Beogradin duhet të vazhdojnë.Ban Ki Moon, është sekretari i parë i OKB-së që viziton Kosovën e pavarur. Ai ashtu siç e kishte parashikuar anashkaloi takimet ku ishte i pranishëm flamuri i Republikës së Kosovës, që dëshmon shtetësinë. Megjithatë gjatë takimit me presidenten Jahjaga, atij i doli nga protokolli një fotografim ku ishte varur në mur deklarata e pavarësisë dhe fotografia e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. “Unë mbetem i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës..por, është esenciale që çështjet e ndjeshme dhe komplekse që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës të zgjidhen përmes dialogut paqësor”, ka deklaruar Ki moon.

Ai tha se liderëve dhe popullit të Kosovës u ka sjell mesazhin e njëjtë, për një të ardhme paqësore dhe të begatë. “Unë pres përpjekje të fuqishme drejt normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, përmes përkushtimit serioz dhe të sinqertë në dialog. Këtë e kam kërkuar edhe nga lidershipi serb gjatë vizitën në Beograd”, ka thënë ai.Presidentja Atifete Jahjaga e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Moon për angazhimin personal të tij për Kosovën dhe për proceset demokratike të vendit. Ajo e vlerësoi punën dhe ndihmën e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, posaçërisht në periudhën e rindërtimit, të tranzicionit dhe të shtetndërtimit.“Mandati i KB në Kosovë është një nga mandatet më të suksesshme në gjithë historinë e Kombeve të Bashkuara dhe është një nga misionet më të pranuara nga populli dhe nga të gjithë qytetarët”, tha Jahjaga, duke bërë të ditur se Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.“Që nga fillimi të dyja palët kemi qenë të vetëdijshme se misioni nuk është këtu për vetveten, por se ai ka krijuar rrethanat e deklarimit të vullnetit të lirë të popullit për të ndërtuar të ardhmen e vet. Ky vullnet u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila u shpreh se është në harmoni të plotë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të 10 Qershorit 1999 dhe me ligjet ndërkombëtare|, tha Jahjaga.Duke folur për proceset integruese të vendit, presidentja Jahjaga theksoi se Kosova i takon Evropës dhe anëtarësimi në BE në NATO dhe në OKB është mënyra më e mirë për të kryer reformat demokratike në vend. “Integrimi në BE do të na ndihmojë që njëherë e përgjithmonë ta lëmë të kaluarën dhe të bashkohemi rreth së ardhmes sonë të përbashkët si vende të pavarura. Ky do të ishte garantuesi më i mirë që paqja të triumfojë në rajon”, tha Presidentja Jahjaga.Duke folur për gjendjen në tri komunat në veri të Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i strukturave ilegale dhe kriminale në këtë pjesë të vendit, po mbajnë peng edhe qytetarët e zakonshëm serbë në këtë pjesë të vendit. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të punojnë së bashku me partnerët ndërkombëtarë për t’iu ofruar qytetarëve serbë të Kosovës dhe të bisedojnë me ta për zgjidhjen e të gjitha çështjeve.“Nuk ka alternativë tjetër përveç zhbërjes së strukturave ilegale dhe kriminale në tri komunat në veri të Kosovës, që tentojnë të mbajnë peng stabilitetin e plotë të vendit dhe që minojnë përparimin e përgjithshëm të arritur në rajon”, tha Presidentja Jahjaga.Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi tha se sekretari i OKB-së është i njoftuar me situatën e re dhe rrethanat në Kosovë, ndërsa vizitën e Banit e konsideroi historike. “Është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe historike për Republikën e Kosovës, është vizita e parë që ndodh prej një sekretari të përgjithshëm të OKB-së në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Është një mesazh i mbështetjes së progresit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, sipas të cilit, Ban Ki Moon njeh realitetin në Kosovë dhe respekton atë.Megjithatë Thaçi ka qenë më i prerë në deklaratën e tij rreth dialogut. Ai tha se OKB nuk do ketë rol në këtë dialog, duke hedhur poshtë gjithashtu përfshirjes së UNMIK-ut në dialogun për veriun. “Ne kemi pasur dialog teknik edhe me shtete të tjera, ndërsa në këtë që e kemi nisur vjet me Serbinë, OKB nuk do ketë rol. Unë ju kam prezantuar idetë preliminare të planit tim për integrimin e serbëve të veriut në jetën institucionale të Kosovës. Ato ide u janë bërë të ditur të gjithë faktorëve relevantë të botës, ndërsa roli i OKB-së është i tejkaluar”, ka thënë Thaçi.Sekretari i OKB-së në vizitën njëditëshe në Kosovë ka vizituar edhe manastirin ortodoks të Deçanit si dhe qytetin e Prizrenit.