Sport

Bajramaj shikon kampionatin nga bankina

Megjithatë, Fatmire Bajramaj u aktivizua në ndeshjen kundër Kanadasë, duke filluar nga minuta e 71-të. Gjermania fitoi 2:1

Shqiptarja Fatmire Bajramaj, e përgëdhelura e medieve dhe e publikut, nuk ka siguruar dot vend të titullares në përfaqësuesen gjermane. Kështu, së paku ndeshjen e parë të kombëtares gjermane në Kampionatin Botëror të Futbollit të Femrave „Lira” (kundër Kanadasë) do ta shikojë nga banka e rezervisteve.

Siç ishte paralajmëruar tashmë nga mediet gjermane, Fatmirja, kohëve të fundit nuk ka qenë sa duhet në formë. Kështu, ylli që ka fituar tashmë gjithë çfarë mund të fitohet në fushën e futbollit, lojtarja që doli e dyta në botë vitin e kaluar në mesin e femrave futbolliste, duhet të pajtohet me bankinën.

Në shumë shkrime që janë botuar ditëve të fundit, mediet gjermane transmetonin vërejtjet e kryetrajneres gjermane, Neid, se Fatmirja nuk po tregonte nivelin e pritur nga ajo. Në mënyrë indirekte, Lirës sikur i zihej për të madhe se më shumë po i përkushtohej pamjes, paraqitjes në medie dhe reklamave se sa stërvitjeve të lodhshme në fushë.

Bajramaj prej disa vitesh, pos që ishte lojtarja më e dalluar e futbollit gjerman të femrave, ishte bërë një figurë-ikonë që identifikohej me bukurinë femërore, talentin dhe si vajzë me prejardhje të huaj, edhe me suksesin në integrim. Ajo është bartëse e imazhit të disa prej firmave më të njohura në botë.