Lajme

Aziz Polozhani, përshëndetet me diplomacinë, i kthehet arsimit

Maqedoninë nuk e përfaqëson më në Misionin e Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Aziz Polozhani. Ai këtyre ditëve iu kthye vendlindjes duke i dhënë fund edhe zyrtarisht këtij misioni diplomatik disa muaj më herët.

Pollozhani tha të jetë marrë një vendim i tillë duke respektuar edhe rrethanat e tij familjare.

„Në marrëveshje paraprake dhe në përputhje edhe me nevojat dhe rrethanat e mia familiare, po e përfundoj këtë mandat disa muaj më herët, për të vazhduar me kontributin tim në rrjedhat aktuale shoqërore në vendlindje“, ka deklaruar për Albinfo.ch, ambasadori i deritashëm i Maqedonisë në misionin e OKB-së në Gjenevë.

Diplomati i deritashëm shqiptar ka konfirmuar për albinfo.ch, se do t’i kthehet arsimit, pa konkretizuar ndonjë pozitë për të cilën kanë shkruar mediat në Shkup, se do të emërohet prorektor për arsim në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Megjithatë, sipas tij, do të ishte përgjegjësi nëse bëhet pjesë e proceseve në funksion të përmirësimit të arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni.

„Në këtë kontekst, padyshim që do të jetë nder dhe përgjegjësi për mua që të jem pjesë e atyre që do të punojnë për konsolidimin dhe avancimin e arsimit në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, dhe në veçanti të atij universitar. Në këtë kontekst, nuk është e rëndësishme pozita, tek e fundit ato varen nga strukturat autonome universitare, më e rëndësishmja është që të angazhohem dhe të bëj atë për çka ndjej kënaqësi dhe përgjegjësi“, deklaron Pollozhani.

Aziz Pollozhani po kthehet në Maqedoni si diplomat me përvojë. Diplomacia si një fushë më subtile e aktivitetit politik, nuk ka qenë edhe aq e afërt për kuadrot shqiptare në Maqedoni, me përjashtime të vogla.

„Marrëveshja e Ohrit, sikurse edhe në shumë fusha tjera, hapi mundësitë për një pjesëmarrje më të prekshme të shqiptarëve edhe në diplomaci. Diplomacia multilaterale, e tillë që njihet përfaqësimi në OKB në Gjenevë, ka qenë një sfidë e veçantë, nëse merren parasysh specifikat e saj dhe mungesa e përvojës së kuadrove shqiptarë në këtë rrafsh“, deklaron në këtë intervistë për albinfo, Aziz Pollozhani.

Në misionin diplomatik të OKB-së në Gjenevë, politikani nga Maqedonia përveç që ka përfituar përvojë, në të njëjtën kohë thotë të ketë krijuar edhe shumë miq.

„I vetëdijshëm për këtë, me një punë serioze, duke kultivuar raporte të shëndosha kolegjiale edhe me ambasadorë të tjerë, mendoj se arrita që denjësisht të përmbush misionin tim. Kam lënë pas vetes aktivitete me peshë, si të karakterit rajonal po ashtu edhe kombëtar me shumë miq e dashamirë, të cilët do të mbesin përgjithmonë pasuria më e çmuar“, tha Pollozhani.

Diplomati shqiptar thotë se po i kthehet vendlindjes duke premtuar se do të angazhohet për mërgatën.

„Mërgata jonë në Zvicër ishte dhe mbetet pjesë dhe interes i yni (jo vetëm i imi) më i rëndësishëm. Si për nga rëndësia e saj historike, si dhe për nga numri dhe potencialet e gjithanshme. Do të jetë i domosdoshëm një angazhim edhe më i fuqishëm dhe më mirë i koordinuar për të gjetur rrugët më adekuate të veprimit në vendin ku jetojnë, dhe të ndikimit të tyre të gjithanshëm në vendlindje“, thekson politikani me prejardhje nga Struga.

Gjatë këtij misioni diplomatik në Zvicër, Pollozhani vjen në konstatimin se mërgata shqiptare në Zvicër, e cila është në numër të madh, si nga Maqedonia ashtu edhe nga Kosova, është në kërkim të formave përfaqësimit të saj të organizuar.

„Është evidente se diaspora, pas transferimit te aktiviteteve politike në institucionet në vendet përkatëse, sidomos në Kosove dhe Maqedoni, duket sikur është në kërkim të formave të përfaqësimit të vet të organizuar, që do të përfaqësojë denjësisht interesat e saj (të zgjidh hallet e mërgimtarëve) në rrethana të reja, si në Zvicër, po ashtu edhe në vendlindje“, mendon Aziz Pollozhani, dhe paralajmëron një proces jo të lehtë, në kohën e ndërrimit të gjeneratave.

„Ky proces nuk do të jetë i lehtë sepse konteksti i ri imponon rishikim prioritetesh që po ndodh në fazën e ndërrimit edhe të gjeneratave. Ndërrimi i gjeneratave që veçohen me shkollim dhe kompetenca të lakmueshme me një ndjenjë të lartë të përgjegjësisë për komunitetin, dhe me një mentalitet krejt të ri për mendimin tim. Kjo mua më gëzon dhe më bën të besoj për një të ardhme më të mirë për mërgatën tonë në Zvicër, por edhe për një orientim dhe kthim të tyre në vendlindje duke transferuar kapitalin dhe „know-how“, si kusht i domosdoshëm edhe për përparimin e vendlindjes“, thotë në këtë intervistë për albinfo.ch, diplomati shqiptar në Zvicër, Aziz Pollozhani.

Kuvendin e Shqiptareve të Zvicrës, të themeluar së fundi nga përfaqësues të gjeneratave të reja, si dhe platformën informative Albinfo.ch, Aziz Pollozhani i sheh si fillet e një fillimi të mbarë dhe të shëndoshë të mërgatës shqiptare në Zvicër.

Ish-ministri i Arsimit në Maqedoni, Aziz Polozhani vjen nga Struga ndërsa në krye të këtij misioni diplomatik në Gjenevë ishte prej vitit 2009.

Lexoni po ashtu: Who’s who: Aziz Pollozhani