Lajme
Avullohen 700 vota të shqiptarëve në diasporë
Ky është një manipulim për të fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, ka thënë Shaban Ipçja, përfaqësues i qytetarëve, të cilët nuk votuan

Ndonëse ishte thënë të jetë shumë lehtë, por asnjëri nga kandidatët shqiptarë në diasporë nuk ka arritur të fitojë vota të mjaftueshme për të përfaqësuar interesat e mërgimtarëve gjatë katër vjetëve të ardhshëm në Parlamentin e Maqedonisë.
Se do të rrezikohet zgjedhja e një deputeti shqiptar në diasporë kishin paralajmëruar me kohë edhe ekspertët politikë për albinfo.ch.
Këta të fundit madje kishin kërkuar të mos zhvillohet fare ky proces zgjedhor jashtë vendit, për arsye se nuk ishte i njohur as për subjektet politike, e as për mërgimtarët.
Një njohës i mirë i rrethanave politike në Maqedoni, i cili ka dëshiruar të mos i publikohet emri, ka thënë për albinfo.ch se ndodhi ajo që pritej, dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe koha jo e mjaftueshme për të analizuar votimin jashtë vendit, si dhe procedurat e komplikuara zgjedhore kanë rezultuar që shqiptarët të mbeten pa asnjë deputet në diasporë.
Po ashtu edhe dalja e votuesve shqiptarë ishte simbolike, duke humbur kështu shansin e parë që të përfaqësohen politikisht në Kuvendin e Maqedonisë.
Sipas ekspertëve, fajin e kanë edhe zgjedhësit shqiptarë në diasporë, të cilët nuk shfaqen interesim për t’u regjistruar paraprakisht në listat e votuesve. Edhe ata që u regjistruan nuk erdhën ditën e zgjedhjeve për të votuar. 675 prej tyre u refuzuan.
Një grup i shqiptarëve, të cilët përfaqësojnë rreth 700 qytetarë të Maqedonisë në Zvicër, të cilët ishin refuzuar pa asnjë arsye nga Komisioni Qendror Zgjedhor për t’u regjistruar në listat e votuesve, kanë parashtruar një ankesë në instancat përkatëse zgjedhore në Maqedoni për manipulime me listat e votuesve në diasporë.
“Deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje pse nuk figuruan rreth 700 votues shqiptarë të Zvicrës në listat e votuesve, edhe pse ishin paraqitur në kohën e duhur në përfaqësinë diplomatike të Maqedonisë. Ky është një manipulim për të fituar mandatin kandidati i VMRO-DPMNE-së”, ka thënë për albinfo.ch Shaban Ipçja, përfaqësues i këtij grupi të qytetarëve, të cilët nuk arritën të votojnë më 4 qershor në Zvicër.
Sipas Ipçes, VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit doli të ketë qenë më e mobilizuar me diasporën e vet, derisa subjektet politike shqiptare i nominuan kandidatët e tyre në momentet e fundit.
Ai thotë se po ashtu një faj të madh për dështimin duhet ta marrin edhe të gjithë zyrtarët shqiptarë nëpër përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë, të cilat edhe vetë nuk i kanë njohur mirë procedurat zgjedhore të aplikuara nga Komisioni Zgjedhor me kodin e ri zgjedhor, e të mos flasim për sensibilizimin e mërgimtarëve për të votuar.
“Nëse analizojmë rezultatin e zgjedhjeve nëpër përfaqësitë diplomatike të përfaqësuara nga maqedonasit, shihet qartë se ata kanë qenë më të mobilizuar se zyrtarët shqiptarë nëpër ambasada. Nga ky mobilizim diplomatik i maqedonasve çuditërisht vetëm në Venedik të Italisë kanë votuar rreth 700 qytetarë të elektoratit turk të Maqedonisë për kandidatin e VMRO-DPMNE-së”, ka thënë Shaban Ipçja nga Kërçova e Maqedonisë.
Për shkak të manipulimit me listat e votuesve në njësinë 8 zgjedhore procesin zgjedhor e kishin bojkotuar edhe diaspora shqiptaro-amerikane. Nga ana tjetër, edhe gazetari nga Maqedonia, Nebi Murseli, thotë se partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, nuk ka krijuar infrastrukturë të fortë diplomatike për t’ i fituar zgjedhjet në diasporë.
“Moszgjedhja e asnjë kandidati shqiptar në diasporë është faj kryesisht i vetë shqiptarëve në rend të parë, ngase mosinteresimi ka qenë i madh, por edhe partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, nuk ka krijuar infrastrukturë të fortë diplomatike dhe përfaqësimi i shqiptarëve në diplomaci është me rol dytësor”, ka deklaruar për Albinfo.ch Nebih Murseli.
Ai kritikon subjektet politike shqiptare se nuk kanë qenë të interesuara të marrin ndonjë mandat nga diaspora.
“Natyrisht se edhe obstruksioni i vazhdueshëm që në forma të ndryshme iu bëhet shqiptarëve nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë ndikuan në masë të madhe që votuesit shqiptarë të mos regjistrohen në afatin e duhur kohor. Dhe, kjo është pasojë e mosinformimit të mërgatës shqiptare nga subjektet shqiptare. Vetë fakti se deri në ditën e fundit nuk dihej nëse do të kenë kandidatë, la të kuptohet se partitë shqiptarët nuk janë të interesuara të marrin ndonjë mandat nga diaspora”, thekson gazetari Murseli.
Sipas Murselit, mosangazhimin e subjekteve politike shqiptare me diasporën e ka shfrytëzuar VMRO-DPMNE-ja duke fituar tri mandate.
“Por, VMRO-DPMNE fitoi tre deputetë në diasporë falë angazhimit të diplomatëve maqedonas, të cilët me mjeshtri krijuar teknikën që të fitojnë kandidatët maqedonas karshi atyre shqiptarë. Para zgjedhjeve flitej se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se nëse nuk fiton ndonjë kandidat shqiptar në diasporë, atëherë do të shkarkohen ambasadorët dhe nëpunësit diplomatikë shqiptarë”, ka vlerësuar Nebih Murseli.
Nga rezultatet preliminare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor tre deputetët e ardhshëm të diasporës do të jenë të VMRO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit.
Në njësinë 7 zgjedhore, e cila përfshin Evropën dhe Afrikën, tre kandidatë shqiptarë fituan shumë pak vota: Bashkimi Demokratik për Integrim (Ismail Behluli) mori 426 vota, Partia Demokratike Shqiptare (Xhemal Dauti) mori 59 vota dhe Demokracia e Re (Kujtim Aligega) vetëm 34 vota. Kurse, kandidati fitues i VMRO-DPMNE-së, Risto Mançev, fitoi bindshëm me gjithsej 1578 vota.
Sido qoftë, ky do të jetë një mësim për subjektet politike shqiptare në Maqedoni se si duhet të trajtohet mërgata shqiptare, e këta të fundit duhet të vetëdijesohen se duhet të votojnë që interesat e tyre të përfaqësohen në të ardhmen nga deputetët shqiptarë.
E-Diaspora
-
Një thirrje artistike për drejtësi në zemër të Evropës Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës...
-
Aksident fatal në Francë, humb jetën një kosovar
-
Shfaqet për here të parë në Zvicër dokumentari “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” në Riffraff, Zürich
-
Edona Preza diplomoi për Shkenca Biologjike dhe studimet Shqiptaro-Amerikan në Illinois
-
Lyon: Kënga e vallja shqipe jehoj nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Ilirët”
Jeta në Austri
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini Humbja e një vendi pune është një situatë e vështirë, veçanërisht kur leja e qëndrimit është...
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz