Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut. Zejnullahu ndërroi jetë në orët e para të së hënës, pak pasi ishte arrestuar nga policia, nën dyshimet se po sulmonte automjete dhe kalimtarë, raporton albinfo.ch.
Familja e të ndjerit ka pretenduar se ai ka vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar nga zyrtarët policorë gjatë arrestimit. Në lidhje me këtë rast, është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Në një reagim zyrtar të martën, Avokati i Popullit theksoi se ushtrimi i forcës përtej asaj që është e domosdoshme përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara si me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ashtu edhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë dhune apo keqtrajtimi janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Institucioni ka paralajmëruar se do të monitorojë nga afër veprimet e të gjitha institucioneve përgjegjëse për rastin, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Njëkohësisht, Avokati i Popullit ka kërkuar transparencë të plotë nga ana e autoriteteve përgjegjëse për të siguruar që publiku dhe familjarët të informohen drejt dhe në kohë për të gjitha zhvillimet dhe gjetjet rreth rastit, raporton albinfo.ch.