Lajme

Austria synon të shtyjë punonjësit mbi 60 vjeç të qëndrojnë më gjatë në punë

Duke pasur parasysh sfidat demografike dhe rritjen e moshës së daljes në pension, Dhoma e Punës (AK) dhe Federata e Sindikatave Austriake (ÖGB) kanë propozuar një paketë masash për të inkurajuar punësimin e personave mbi 60 vjeç. Elementi kryesor i planit është një sistem bonusi/malusi që do të shpërblejë kompanitë që punësojnë të moshuar dhe do të penalizojë ato që nuk e bëjnë këtë, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas AK dhe ÖGB, vetëm rreth 5% e personave në moshën 60-64 vjeç janë aktualisht pjesë e fuqisë punëtore, me dallime të mëdha mes industrive dhe bizneseve. Përveç sistemit të bonus-malus, përfaqësuesit kërkojnë monitorim transparent të kuotave të punëtorëve të moshuar, subvencione të synuara, dhe masa ligjore për parandalimin e sëmundjeve profesionale.

Ata kërkojnë gjithashtu përmirësime në shërbimet e rehabilitimit dhe marrëveshje zbatueshme për punë të përshtatshme për moshën.

Partia e Gjelbër i ka dhënë mbështetje kësaj iniciative, ndërsa përfaqësues të koalicionit NEOS dhe ÖVP kanë kritikuar propozimet, duke paralajmëruar kosto shtesë dhe “ndëshkime” për kompanitë, transmeton albinfo.ch.