Lajme

Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, fiton çmim prestigjioz në SHBA

Vlerësimi “Stephen E. Dwornik” në fushën e astronomisë planetare e rendit studiuesen shqiptare mes emrave premtues në skenën ndërkombëtare shkencore

Astronomja shqiptare nga Kosova, Pranvera Hyseni, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj shkencore, duke u nderuar me çmimin prestigjioz “Stephen E. Dwornik” në fushën e astronomisë planetare, shkruan albinfo.ch.

Ky çmim jepet nga Geological Society of America për prezantimin më të mirë nga një student doktorature, në kuadër të Lunar and Planetary Science Conference, e cila këtë vit u mbajt në Texas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ngjarje shkencore me përmasa globale morën pjesë mbi 2000 studiues dhe ekspertë nga e gjithë bota, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë dhe këtë vlerësim edhe më domethënës.

Suksesi i Hysenit konsiderohet një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, duke dëshmuar potencialin e saj të lartë në kërkimin shkencor dhe në fushën e studimeve planetare.

Njëkohësisht, ky vlerësim përfaqëson edhe një arritje të rëndësishme për Kosovën, pasi kontribuon në promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare të shkencës dhe inovacionit. /Albinfo.ch