Kosova

Artistja Leze Qena i bashkohet platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve”

"Fëmijët janë e ardhmja e Kosovës, dhe unë do të përkrah iniciativat e KOMF për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, deri sa të jem gjallë”, ka thënë ajo

Artistja e mirënjohur Leze Qena, me më shumë se 55 vite përvojë si aktore e suksesshme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë, e cila gëzon një respekt të madh në shoqërinë tonë, e njohur dhe e admiruar nga publiku i gjerë përmes roleve shumë të dashura për publikun, i është bashkuar platformës avokuese të KOMF-it “Miqtë e Fëmijëve”.

Aktorja pohon se është mjaft entuziaste për këtë iniciativë. “Me kënaqësi të madhe i bashkohem platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve” në të cilën do të jap kontributin tim për më të mirën e fëmijëve. Fëmijët janë e ardhmja e Kosovës, dhe unë do të përkrah iniciativat e KOMF për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, deri sa të jem gjallë”, ka thënë ajo.

“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar vetëdijësimin e institucioneve dhe komunitetit, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë.