Kultura
Arti i Xhafës fisnikëron Cyrihun dhe imazhin e kosovarëve
Sislej Xhafa: Qëllimi im ka qenë që t`u flas edhe atyre që janë larg nga kontakti me artin, me galeritë, me ekspozitat
Në një hark kohor prej tri javësh, me shfaqjet e shkëlqyera në Cyrih të Baletit të Kosovës dhe gjithsesi, me tre golat e Shaqirit duket se është rrumbullakësuar mbrëmë “revanshi” kosovar në kundërpërgjigje ndaj fushatave ksenofobe. Është bërë kjo me përurimin e skulpturës 15 metra të lartë të artistit kosovar Sislej Xhafa në një park të Cyrihut.
Sislej Xhafa flet rreth veprës së tij
“Y-psiloni” natën
Në një ceremoni interesante, me praninë e krerëve të komunës së Cyrihut, artdashësve dhe banorëve të tjerë të qytetit është bërë mbrëmë përurimi solemn i skulpturës së artistit të njohur kosovar me qëndrim në SHBA, Sislej Xhafa. Skulptura, që është një shkronjë Y gjigante prej materiali sintetik dhe që shërben edhe si shilarës, luhatëse, është përshkruar si një dhuratë krejt e veçantë që i jepet qytetit të Cyrihut. Si një objekt artistik i një lloji unik, që fisnikëron parkun ku është vendosur.
Kështu e ka vlerësuar punën kreative të artistit shqiptar edhe përgjegjësja për ndërtim dhe ambient në qeverinë e Cyrihut, Ruth Genner. “Lagjja Hardau e Cyrihut për dhjetëvjetësha është bërë vatër e pjesëtarëve të shumë komuniteteve. Pas investimeve të shumanshme dhe të kushtueshme të bëra viteve të fundit, ajo, gjegjësisht parku i saj, po bëhet edhe me një vepër të veçantë artistike, me skulpturën e artistit kosovar Sislej Xhafa”, ka thënë veç tjerash Genner.
395 mijë franga ka kushtuar projekti i skulpturës.
Xhafa dhe bashkëpunëtorët provojnë luhatësen
Ndërsa kritiku i artit, profesor në Shkollën e lartë të Arteve të Cyrihut Christoph Schenker i ka bërë një vlerësim profesional veprës së artit, e cila tash e tutje do të pasurojë këtë park të qytetit. Schenker e ka vlerësuar skulpturën e përuruar si një vepër moderne që flet me gjuhën e simboleve dhe shtron mjaft pikëpyetje. Y-ja paraqet një lloj arme të rezistencës (llastik, hobe) por një armë “e zbutur”, kur kihet parasysh luhatësja nën të, që mund të përdoret nga fëmijët dhe çiftet. Po ashtu, ka shtuar Schenker, veç estetikës, kjo skulpturë ngërthen në vete edhe anën praktike, duke u shkrirë me ambientin në të cilin është vendosur dhe duke kryer një funksion çlodhës.
Më tutje, moderatorët i kanë drejtuar artistit Xhafa pyetje të ndryshme lidhur me veprën e tij të përuruar dhe veprimtarinë artistike në përgjithësi. I pyetur se çfarë e ka shtyrë të realizojë një vepër si kjo, Sislej Xhafa ka nënvizuar se qëllimi i tij ka qenë që t`u flasë edhe atyre që janë larg nga kontakti me artin, me galeritë, me ekspozitat. Ndërsa rreth inspirimit, gjegjësisht se çfarë ka menduar duke e punuar pikërisht një vepër si kjo, është shprehur: “Asgjë. Është një nga ato momentet magjike kur lindin idetë për krijimin e veprave artistike”.
Ruth Genner
Xhafa ka falënderuar mes tjerëve edhe dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në realizimin e projektit, arkitektët Frederic Levrat dhe Isa Hasani, dhe gjithsesi, qytetin e Cyrihut që i ka mundësuar realizimin e këtij projekti artistik.
Fëmijët kënaqen me “lodrën” e tyre të re
Një përshëndetje rasti në emrin e Ambasadës së Kosovës në Bernë e ka mbajtur Artana Bardhi, ministre këshilltare në këtë ambasadë. Ajo ka theksuar se ngjarje artistike sikur kjo e sotmja nuk bën të lihen pa u ndjekur nga përfaqësia e Kosovës në Zvicër, prandaj ajo ka përgëzuar artistin Xhafa dhe qytetin e Cyrihut për punën e mrekullueshme që kanë bërë bashkë.
Artana Bardhi përshëndet në emrin e Ambasadës së Kosovës
Xhafa është një ndër artistët më të shquar bashkëkohorë të Kosovës, i njohur po ashtu edhe në botë. Arti është një pasaportë e vendit që e përfaqëson, ka thënë veç tjerash znj. Bardhi.
Në solemnitetin e organizuar me rastin e përurimit të skulpturës, ka qenë e pranishme edhe konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Dhurata Selimi.
Në përmbyllje, luhatësen nën skulpturë, e kanë provuar fillimisht autorët e veprës, për t`ua lënë pastaj atë fëmijëve të cilët të ngazëllyer “kanë marrë në dorëzim” lodrën e tyre. Dritat që ndizeshin brenda trupit të skulpturës me vënien në lëvizje të luhatëses, ndeznin fantazinë jo vetëm të fëmijëve të pranishëm aty.
E-Diaspora
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë Një operacion i policisë italiane ka çuar në arrestimin e 11 personave, pjesë e një bande...
-
Sot nis Alba Festival në zemër të Cyrihut
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar
-
Bota e logjistikës ajrore: Prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€