Kosova
“Arsimi” nga Zvicra mbështet arsimin shqip në Ballkan
Për themelimin, misionin dhe sfidat e shoqatës ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION flasin bartësit e saj: Lorena Xhagjika, Mahir Mustafa dhe Mirëlinda Shala

Shoqata “Arsimi” ose me emrin e plotë zyrtar ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION është themeluar në vitin 1999. Siç kuptohet nga emri, ajo ka në fokus arsimin shqip në Zvicër. Por shoqata “Arsimi” ka specifika që e dallojnë nga një shoqatë arsimore ose nga ajo e mësimit shqip në Zvicër (LAPSH). Ajo merret me mbështetjen nga Zvicra të arsimit shqiptar në vend, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut.
Për themelimin, hollësitë e funksionimit, synimet, misionin dhe sfidat e shoqatës ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION flasin bartësit e saj, Lorena Xhagjika, Mahir Mustafa dhe Mirëlinda Shala.
albinfo.ch: Si lindi ideja për themelimin e Shoqatës “ARSIMI”? Çfarë i motivoi themeluesit dhe bashkëpunëtorët e tyre për ta ndërmarrë këtë iniciativë?
Lorena Xhagjika: Iniciativa fillestare në vitin 1998 ka qenë e Hansueli Geiger, Mahir Mustafës dhe Marise Lendorff pas një vizite studimore të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut (PHZH) në Universitetin e Tetovës. Të frymëzuar nga përkushtimi i këtij universiteti dhe të shqetësuar për kushtet e vështira të arsimit në rajon, ata themeluan në Zvicër shoqatën “Miqtë e Universitetit të Tetovës”.
Me përshkallëzimin e krizave në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, u pa nevoja për të zgjeruar veprimtarinë dhe qëllimet. Kështu, më 6 mars 1999, në Cyrih u themelua Shoqata ARSIMI-BILDUNG-EDUCATION – Shoqatë për Mbështetjen e Bashkëpunimit me Institucionet Arsimore Shqiptare në të gjitha nivelet, që nga kopshti i fëmijëve deri në universitet. Themeluesit – Hansueli Geiger, Mahir Mustafa, Marise Lendorff, Basil Schader, Christian Zindel, Katherina Washington, Lolita Poda, Jannis Zinniker, Renate Guillelmon dhe Cornelia Alb – dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë mbështetur projekte arsimore e kulturore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
albinfo.ch: Si ka evoluar vizioni juaj për arsimin ndër vite – nga themelimi e deri më sot?
Lorena Xhagjika: Që prej fillimit, shoqata ARSIMI ka mbështetur projekte me përmasa të vogla, në shumicën e rasteve me bashkëfinancim, duke filluar që nga sigurimi i materialeve didaktike dhe renovime të shkollave në zonat rurale, deri në trajnimin e mësuesve në nivele të ndryshme shkollore. Në vitet e fundit, shoqata ARSIMI ka mbështetur projekte afatgjata, të ndara në faza të ndryshme që zgjatin disa vite. Këto projekte synojnë formimin e edukatorëve dhe mësuesve, veçanërisht përmes aktivitete edukative që nxisin imagjinatën dhe krijimtarinë e fëmijëve dhe nxënësve.
albinfo.ch: Pse arsimi ishte dhe mbetet fusha ku vendosët të fokusoheni?
Lorena Xhagjika: Fokusi i shoqatës sonë mbetet arsimi, jo vetëm sepse shumica e anëtarëve të kryesisë vijnë nga fusha e mësimdhënies, por edhe sepse të gjithë besojnë se përmes edukimit të brezit të ri mund të arrihen ndryshime të qëndrueshme dhe afatgjata në vendet përkatëse.
albinfo.ch: Si e shihni rolin e diasporës shqiptare në Zvicër në nxitjen e projekteve arsimore në trojet shqiptare?
Lorena Xhagjika: Diaspora shqiptare luan një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen dhe zhvillimin e projekteve, si financiarisht ashtu edhe përmes transmetimit të ekspertizës së saj nga Zvicra në vendet shqipfolëse. Shoqata ARSIMI ka dërguar edukatorë dhe pedagogë të nivele të ndryshme shkollore me përvojë shumëvjeçare në sistemin arsimor zviceran, të cilët kanë trajnuar mësues, kanë ideuar projekte dhe kanë mbështetur shkollat shqipe në zbatimin e tyre, me synimin për të arritur rezultate të suksesshme.
albinfo.ch: Cili ka qenë bashkëpunimi më frymëzues që keni pasur mes komunitetit zviceran dhe atij shqiptar?
Mahir Mustafa: “Java e Veçantë Studimore” (JVS) ka qenë një nga bashkëpunimet më domethënëse mes komunitetit akademik zviceran dhe atij shqiptar. E nisur në vitin akademik 1998/99, me pjesëmarrjen e studentëve të gjeneratës së parë të Universitetit të Tetovës dhe institucioneve partnere në Zvicër, JVS krijoi një hapësirë unike për reflektim kritik dhe shkëmbim profesional. Në bashkëpunim me universitete dhe institucione si Universiteti St. Gallen, Fakulteti Juridik i Universitetit të Cyrihut, Universiteti Popullor i Gjenevës, kjo javë studimore u bë model për ndërveprim akademik ndërkulturor. Deri më sot janë realizuar pesë JVS me tema të ndryshme që kanë trajtuar aspekte të arsimit, diversitetit dhe komunikimit. Qe nga viti 2022, JVS ka qenë pjesë integrale e programit studimor në Fakultetin Pedagogjik të UT-së.
“Kosovision Contest”, projekt i njohur tani si “VisCoKos”, përfaqëson një tjetër bashkëpunim të frytshëm dhe afatgjatë. Si një konkurs kombëtar për nxënësit e klasave të pesta në Kosovë, projekti ka përfshirë çdo vit dhjetëra mijëra fëmijë dhe mësimdhënës, duke nxitur pjesëmarrjen aktive në jetën demokratike dhe zgjidhjen kreative të problemeve në komunitet. Përmes këtij formati, nxënësit zhvillojnë ide konkrete për përmirësimin e jetës së përditshme dhe mësojnë si të punojnë bashkërisht drejt qëllimeve të përbashkëta. Me kalimin në fazën VisCoKos, fokusi është zgjeruar për të përfshirë edhe komunitetet jo-shqiptare në Kosovë. Me mbështetjen e rregullt të Shoqatës ARSIMI dhe angazhimin e ekspertëve nga PHZH, projekti është bërë një mjet i fuqishëm për arsimim demokratik dhe bashkëjetesë ndërkulturore në shkolla kosovare.
albinfo.ch: Si i përzgjidhni projektet që mbështesni çdo vit? Çfarë kriteresh ndiqni?
Mahir Mustafa: Përzgjedhja e projekteve bëhet në bazë të rëndësisë dhe dobisë së tyre për grupet të cilave u dedikohen: fëmijëve, nxënësve, studentëve, mësimdhënësve, studiuesve. Projektet duhet të jenë në përputhje me qëllimet e shoqatës dhe me fokusin e fushëveprimit të saj. Ato duhet të jenë konkretë, vizionarë dhe me qëndrueshmëri afatgjatë.
albinfo.ch: Mund të na tregoni më shumë për ndonjërin nga projektet e vitit 2025 – për shembull, çfarë synon të arrijë përkthimi i veprës “Sikur të isha djalë” në gjuhën gjermane?
Mirëlinda Shala: Vepra “Sikur të isha djalë” e Haki Stërmillit – megjithëse e shkruar gati një shekull më parë – mbetet ende jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë e sotme. Ajo trajton rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe betejat e saj për arsimim, vetëvendosje dhe praninë në jetën shoqërore. Shumë nga çështjet e ngritura në këtë vepër mbeten ende aktuale edhe sot, duke na kujtuar se lufta për barazi gjinore nuk ka përfunduar, dhe kjo nuk vlen vetëm për vendet shqiptare. Përkthimi në gjuhën gjermane krijon mundësi të reja, si për diasporën shqiptare, ashtu edhe për lexuesit dhe institucionet arsimore gjermanofone, për ta rizbuluar këtë vepër dhe për të nxitur dialogun ndërkulturor.
albinfo.ch: Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni gjatë realizimit të projekteve në vendet e Ballkanit?
Mahir Mustafa: Disa nga sfidat kryesore në bashkëpunimin me partnerët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut lidhen me ndryshimet në qasje dhe mentalitet. Ndërsa shoqata synon planifikim afatgjatë dhe vazhdimësi në mbështetjen e projekteve, shpesh hasim në mungesë të përkushtimit afatgjatë nga ana e partnerëve lokalë, përfshirë tejkalimin e afateve dhe mungesën e strukturave për mbajtjen në jetë të projekteve.
Një tjetër sfidë është pritshmëria për mbështetje financiare të konsiderueshme, pasi institucionet shqiptare janë mësuar të bashkëpunojnë me agjenci dhe fondacione të mëdha ndërkombëtare. Si një shoqatë me kapacitete të kufizuara, ne nuk kemi mundësi për projekte të mëdha, por, siç dokumentohet edhe në faqen tonë www.arsimi.ch, kemi realizuar projekte me ndikim të madh në sektorin e arsimit.
albinfo.ch: A mund të ndani me ne një histori suksesi – një shembull konkret se si një projekt i mbështetur nga ARSIMI ka ndryshuar jetën e dikujt?
Mahir Mustafa: Vitin e kaluar, shoqata organizoi dy kurse në fushën e edukimit parashkollor në Maqedoninë e Veriut. I pari ishte një kurs sensibilizues të maturanteve e maturantëve të shkollave të mesme. Qëllim ishte nxitja e interesimit për profesionin e edukatorit të ciklit parashkollor – një profesion që po pëson rënie të vazhdueshme në këtë rajon. Kursi u mbajt nga Erika Masina dhe Mahir Mustafa dhe u ndoq nga 34 pjesëmarrëse, të cilat shprehën interes të shtuar pas prezantimeve frymëzuese mbi rëndësinë e rolit të edukatorit në zhvillimin e fëmijëve.
Kursi i dytë, “Të mësuarit përmes lojës”, ishte një trajnim katërditor për edukatoret e kopshteve në komunat shqiptare nga Kumanova deri në Ohër. Ai u udhëhoq nga Erika Masina dhe Shukrije Lecaj dhe u ndoq nga 30 edukatore dhe katër drejtoresha. Pjesëmarrëset u përfshinë aktivisht në metoda të të mësuarit përmes lojës dhe kreativitetit, dhe vlerësimet ishin jashtëzakonisht pozitive. Rezultatet e kursit tashmë reflektohen në aktivitetet e përditshme të kopshteve, duke integruar lojën si pjesë thelbësore të edukimit.
Përveç këtyre projekteve, shoqata ka mbështetur edhe projekte tjera, si përmirësimi i kushteve në shkollat e zonave malore të Shqipërisë së Veriut, falë bashkëpunimit me Basil dhe Erica Schader, si dhe mbështetjen e rregullt për Akademinë e Arteve të Shqipërisë, nëpërmjet angazhimit të Christian Zindel.
albinfo.ch: Çfarë vizioni keni për të ardhmen e shoqatës? A ka plane për zgjerim, ndoshta edhe në fusha të tjera përveç arsimit?
Mirëlinda Shala: Shoqata është aktualisht në një fazë të riorganizimit dhe të përcaktimit të prioriteteve të reja. Me riformësimin e kryesisë, jemi duke zhvilluar një vizion më të qartë për të ardhmen e shoqatës. Qëllimi ynë është të forcojmë praninë tonë në komunitetin shqiptar në Zvicër dhe të përqendrohemi më shumë në çështjet arsimore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin e këtij komuniteti, veçanërisht në fushën e arsimit dhe integrimit në sistemin arsimor zviceran. Edhe pse arsimi mbetet në qendër të veprimtarisë sonë, jemi të hapur për bashkëpunime ndërdisiplinore që mund të përfshijnë edhe aspekte të tjera si kultura, zhvillimi i komunitetit apo digjitalizimi i mësimdhënies.
albinfo.ch: Si mund të kontribuojë dikush – qoftë financiarisht apo me kohë dhe dije – në misionin e ARSIMI-t?
Mahir Mustafa: Në arritjen e qëllimeve të shoqatës ARSIMI mund të kontribuojë çdo arsimdashës/e – duke u bërë anëtar/e aktiv i shoqatës, duke mbështetur financiarisht projektet e saj, duke vënë në dispozicion dijen dhe përvojën personale e profesionale në fushën e arsimit, duke konceptuar projekte të dobishme për përsosjen profesionale të mësimdhënësve në hapësirën shqiptare, si edhe projekte për fëmijë, nxënës e studentë shqiptarë në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për komunitetin shqiptar dhe zviceran që dëshirojnë të investojnë në një të ardhme më të mirë për të rinjtë?
Mahir Mustafa: Shoqata ARSIMI fton të gjithë personat që besojnë në fuqinë e arsimit të na bashkohen në përpjekjet tona për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë. Me mbështetjen tuaj – qoftë përmes kohës, ideve apo resurseve – mund të realizojmë projekte që i japin mundësi brezit të ri të zhvillohet dhe të kontribuojë në shoqëri.
E-Diaspora
-
Promovimi i gjuhës, kulturës dhe vlerave shqiptare në diasporë Takim i veçantë në Bibliotekën Pestalozzi Hardau ...
-
Konfirmohet: 3 viktima nga Kosova në aksidentin në Luksemburg
-
Pesë viktima në një aksident tragjik në Luksemburg, dyshohet se tre janë shqiptarë
-
Ngjyrat dhe traditat shqiptare në zemër të Ostermundigen me “Bashkimin”
-
Bashkëpunim dhe unitet mes asociacioneve shqiptare në Zvicër
Jeta në Austri
-
Mali i Zi dënon ushtarin e arrestuar në Deçan për targat “Kosova është Serbi” Një ushtar i Malit të Zi është dënuar nga Ushtria e vendit të tij, pasi vitin...
-
Nga 1 janari, transporti publik, gjobat e parkimi do të jenë më shtrenjtë në Vjenë
-
Shoqata e Mësuesve Shqiptarë në Austri, “Naim Frashëri”, uron për fillimin e vitit të ri shkollor
-
Linja e re e tramvajit të Vjenës fillon më 1 shtator
-
Kampingu në Austri: Netqëndrimet u rritën me 12.4% në gjysmën e parë të vitit 2025