Zhvillim

Armët ilegale në Evropë kontrabandohen nga Ballkani

Tregtia ilegale e armëve nga Ballkani është një faktor rreziku për sigurinë në mbarë Evropën.

Atentatorët e Parisit përdorën, sipas njoftimeve në media, ndër të tjera edhe dy automatikë të tipit Typ Zastava M70 nga ish-Jugosllavia. Edhe gjurmët e armëve të përdorura gjatë sulmit terrorist më 7 janar 2015 kundër revistës satirike “Charlie Hebdo” çojnë në Ballkan. Gjatë asgjësimit të një celule terroriste kosovare në Itali dhe në Kosovë para pak ditësh, në një fshat në Kosovë u gjet një sasi e madhe armësh ilegale.

Që nga luftërat e Jugosllavisë në vitet 1990 dhe që pas hapjes së depove të armëve në Shqipëri në vitin 1997 lulëzon një treg i zi armësh të ndryshme jo vetëm në Ballkan – prej kohësh arsenali i armëve nga ish-vendet komuniste të armatosura mirë ka arritur edhe në Evropë.

Një kalashnikov paguhet në Evropë deri 2000€

Çmimet variojnë: ndërsa në Ballkan për një kalashnikov paguhen 300-500 euro, në vendet e Evropës çmimet rriten deri në 2000 euro.

Sipas një studimi të fundit të “Flemish Peace Institut” në Bruksel, një pjesë e madhe e armëve ilegale në Evropë kontrabandohet nga vendet e Ballkanit, transmeton DW, përcjell albinfo.ch.

Një ndër ekspertët e këtij studimi, Nils Duquet, tha se këto armë vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit.

“Ne bëjmë fjalë për Serbinë, Kroacinë, Bosnjën, Shqipërinë, shumë nga këto vende kanë problem me armët. Janë armët që kanë mbetur në duart e njerëzve pas luftërave në Ballkan. Në bazë të hulumtimeve tona, mund të themi se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mbahen më shumë armë ilegalisht se sa legalisht“.

Ky është një problem për sigurinë në mbarë Evropën. Të dhënat se në Ballkan qarkullojnë armë ilegale dhe se kontrabandistët përdorin për to itineraret e kontrabandës me njerëz dhe me drogë, nuk janë të reja.

Ivan Zverzhanovski, ekspert nga Beogradi i qendrës South Eastern and Eastern Europe Clearinghouse for the Control of Small Arms and Light Weapons (SEESAC), një organizatë e OKB-së për kontrollin e armëve të lehta në Evropën Juglindore dhe Lindore me seli në Beograd, është i shqetësuar për lidhjet e mundshme mes tregtisë së armëve dhe grupeve terroriste.

Ai druan se Ballkani mund të bëhet një burim me kosto të ulët i armëve për celula të ndryshme terroriste në Evropë.

“Ne nuk e dimë se si këto armë kanë mbërritur në duart e terroristëve të Parisit. Në Ballkan ka shumë armë ilegale në qarkullim dhe ne e dimë se ka lidhje mes shitësve të dorës së dytë, kriminalitetit të organizuar dhe terroristëve që i blejnë ato”.

Edhe eksperti kosovar i sigurisë, Burim Ramadani, nga Instituti për Studime Europiane (ISPE) në Prishtinë, e konsideron si shumë të lartë potencialin e rrezikut.

“Ne e kemi në vëmendje që shtetet në Ballkanin Perëndimor mund të konsiderohen si të brishta dhe se kjo ua bën më të lehtë të tilla grupeve terroriste që të sigurojnë sasi të ndryshme armësh“.

Shqetësuese janë shifrat mbi armët ilegale që qarkullojnë në Ballkan
Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, përllogaritet të jenë në qarkullim rreth 200.000 – 900.000 armë të vogla ilegale vetëm në Serbi.

Një raport i OKB-së i vitit të kaluar nënvizon numrin e lartë të armëve ilegale në Kosovë – bëhet fjalë për 450.000 armë të vogla dhe të kalibrit të lehtë.

Sipas të dhënave të SEESAC në Beograd në Bosnjë e Hercegovinë, ende mund të jenë në qarkullim rreth 750.000 armë ilegale.

E ngjashme është situata në mbarë Ballkanin. Shumë njerëz pas luftërave në Ballkan i kanë mbajtur armët, thotë Nils Duquet.

“Ne kemi konstatuar që këta njerëz tani fillojnë t’i shesin armët e pikërisht tek njerëz, të cilët më pas i kontrabandojnë këto armë në sasi të vogla në Evropë. Kur këto armë mbërrijnë në Evropë, ato qarkullojnë nga njëri grup i vogël kriminal tek tjetri”.

Sipas SEESAC, në vitet pas luftërave në Ballkan janë kryer disa fushata për mbledhjen e armëve, gjatë të cilave bëhej përpjekje që njerëzit të viheshin në lëvizje për t’i dorëzuar vullnetarisht armët.

Suksesi i synuar nuk u arrit.

Këtë vit në Serbi janë dorëzuar vetëm 7.500 armë.

DW