Futboll

Ardon Jashari refuzon Premier Leaguen, synon vetëm Milanin

Mesfushori i talentuar i Club Brugge, Ardon Jashari, ka refuzuar një ofertë konkrete nga Premier League, pasi prioriteti i tij është transferimi te gjiganti italian, Milan, transmeton albinfo.ch.

Sipas portalit “Sempremilan”, West Ham United kishte shfaqur interes serioz për ta transferuar reprezentuesin e Zvicrës, por 22-vjeçari me prejardhje shqiptare ka vendosur të presë vetëm “kuqezinjtë”.

Pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje mes Milanit dhe Brugge, negociatat janë duke u intensifikuar. Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ditë më parë deklaroi publikisht se Jashari dëshiron të veshë fanellën e skuadrës së njohur nga “San Siro”.

Milani ka rritur ofertën e tij në 35 milionë euro, pas refuzimit të mëparshëm nga Club Brugge, që nuk është i gatshëm ta lëshojë lehtë njërin prej lojtarëve më të vlefshëm në skuadër. Brugge kishte blerë Jasharin verën e kaluar nga Luzerni për vetëm 6 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me klubin belg deri në vitin 2029.

Nëse realizohet transferimi, Jashari pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore neto prej 2.8 milionë eurosh. Ai shkëlqeu edicionin e kaluar në kampionatin belg, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Club Brugge dhe një objektiv serioz për skuadrat elitare të Evropës, transmeton albinfo.ch.