Lajme
Arbën Xhaferi – prodhuesi i ideve në vendin e mbetur pa ideale
Në Langenthal u bë promovimi i librit të Enver Robellit, “Arbën Xhaferi rrëfen – Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”

Arbën Xhaferi, me angazhimin e tij, fillimisht në jetën kulturore e publike, ndërsa më vonë edhe në atë politike të shqiptarëve, përfaqëson një profil jo shumë tipik të politikanit dhe intelektualit në trojet shqiptare. Si i tillë, si njeri i ideve në radhë të parë por edhe i veprimit praktik, ai ka nxitur kureshtjen e shumëkujt për të mësuar nga bota e tij e ideve. Enver Robelli, nga kjo kureshtje legjitime, ka bërë libër.
Ai këmbëngul se libri që ka shkruar, me titullin “Arbën Xhaferi rrëfen – Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, në fakt është libër vetëm i Arbën Xhaferit! Dhe, se ky pohim nuk është vetëm shprehje e modestisë së autorit, Robelli e shpjegoi edhe në promovimin e librit të tij dhe të Xhaferit, në Langenthal të Zvicrës.
Nazmi Jakurti, aktivist i njohur i komunitetit të këtushëm shqiptar, kishte pasur idenë e qëlluar për të organizuar këtë promovim dhe për këtë, kishte zgjedhur një sallë luksoze me stil baroku, në qytetin e vjetër. Ai ka hapur takimin dhe ka bërë një prezantim të shkurtër të Xhaferit dhe të Robellit.
Intelektuali duhet të ketë angazhim shoqëror
© albinfo.ch: Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi
I pari fjalën e ka marrë ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi, i cili shkoqiti rolin e intelektualit në politikë, duke pasur për model pikërisht Arbën Xhaferin. “Paraqiten edhe mendime se politikani nuk është e thënë të jetë patjetër intelektual. Sipas kësaj logjike, mjafton të ketë nuhatje, aftësi vendimmarrëse dhe aftësinë për kompromis që një njeri të pranohet si politikan”, u shpreh Elezi. Por, vazhdoi ai, sipas të gjitha përkufizimeve, intelektual nuk është njeriu që është vetëm i shkolluar mirë, por ai që ka një rol në shoqëri. Rasti i Arbën Xhaferit dhe Ibrahim Rugovës, si intelektualë të angazhuar suksesshëm në politikë, dëshmon se një intelektual mund të jetë edhe politikan i suksesshëm”.
Elezi ka vlerësuar meritën e Enver Robellit, që, përmes pyetjeve interesante, “të nxjerrë mineralet”, gjegjësisht përgjigjet e mençura të Xhaferit.
© albinfo.ch: Veprimtari dhe publicisti Xhafer Shatri
Në një fjalë të zgjeruar, veprimtari dhe publicisti Xhafer Shatri i ka bërë një analizë të gjithanshme librit të Robellit, duke shprehur konsiderata të larta për protagonistin e librit, Arbën Xhaferin. Shatri e quan këtë të fundit idealist në një botë që prej kohësh ka bjerrë idealizmin. “Për dallim nga shumë politikanë e veprimtarë shqiptarë, Arbën Xhaferi në vazhdimësi mbeti idealist, virtyt që sot e gjejmë rrallë në lagjen e politikbërjes shqiptare. Rrufjanët, mujsharët, kapadainjtë dhe cubat sot janë safi i parë i xhematit të politikës kudo që flitet shqip…”.
Arbën Xhaferi, njohësi më i mirë i raporteve shqiptaro-sllave
Pastaj folësi tha se në qendër të analizave të Xhaferit janë raportet e shqiptarëve me popujt sllavë në fqinjësi. Nga kjo ai nxjerr konkludimin se Xhaferi sot është njohësi më i mirë shqiptar i marrëdhënieve të shqiptarëve me serbët dhe maqedonasit.
Ndërsa meritat e Enver Robellit si autor, Shatri i sheh sidomos në grumbullimin brenda kopertinave të materies për jetëshkrimin e Xhaferit. “Libri i tij do të jetë një material i dorës së parë për të shkruar nesër biografinë e njërit prej liderëve më karizmatikë shqiptarë në kapërcyell të dy shekujve”, ka vlerësuar më tej referuesi.
© albinfo.ch: Autori i librit, Enver Robelli
Duke falënderuar organizatorin dhe publikun, autori i librit, Enver Robelli ka shprehur kënaqësinë për krijimin e mundësisë për të debatuar për botën e ideve të Arbën Xhaferit. “Në këtë libër, Xhaferi ka hedhur mendime dhe ide që në bashkëbisedim i ka shtjelluar në një mënyrë bukur jokonvencionale. Dhe kjo ka qenë arsyeja që unë kam zgjedhur pikërisht atë për ta intervistuar. Ai është më shumë se një politikan, më shumë se një intelektual. Në fakt është një sociolog i përditshmërisë sonë, i cili nuk jeton në ndonjë kullë të fildishtë dhe larg fenomeneve që na shoqërojnë”.
© Nazmi Jakurti, organizator i promovimit
Ndërkaq, Robelli e ka quajtur fatlume rrethanën në të cilën sot po debatojmë në Zvicër lidhur me një libër. “Sot ne jemi takuar këtu, të shkarkuar nga barra e robërisë dhe flasim, do të thosha, nga pak edhe krenarë, për atë që kemi arritur dhe gjithnjë me shpresën se, edhe përmes ideve që i ka shprehur Arbri, të korrigjojmë atë që është e mundshme të korrigjohet. Sepse, në fakt, të gjitha shoqëritë shqiptare sot po ballafaqohen me probleme jashtëzakonisht të mëdha. Këto nuk janë më probleme të ekzistencës si komb por probleme të kahjes që po e merr shoqëria jonë. Një shoqëri që ndërtohet keq, nuk mund të ketë ardhmëri”, ka thënë autori i librit të promovuar.
© albinfo.ch: Nxënësja Goneta Jakurti
Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë mbrëmje, Arbën Xhaferi kishte dërguar një letër përmes të cilës përgëzonte organizatorët dhe përshëndeste të pranishmit. Ai, po ashtu, në letrën të cilën e lexoi nxënësja Goneta Jakurti, i ka bërë një prezantim të shkurtë tezave që rrihen në libër.
Është lexuar edhe një vështrim i Driton Kajtazit lidhur me librin.
Me dy këngë, shoqëruar me kitarë është paraqitur Agim Kadriu.
Organizimin e promovimit e ka mbështetur edhe ABSM e Bazelit, e përfaqësuar nga kryetari, Skender Nikoliqi.
E-Diaspora
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve Një grua 74-vjeçare është gjobitur për mashtrime të shumëfishta. Gruaja kishte marrë fonde nga Kantoni i...
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë
-
Sot nis Alba Festival në zemër të Cyrihut
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar
Jeta në Austri
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm” Ujërat e banjës së Austrisë kanë rënë nga vendi i dytë në të katërtin në një...
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini