Lajme

“Aplikoni për pensione e jo më për kthimin e kontributeve”

Reagim ndaj artikullit: „Pensionistët nga Zvicra tërheqin kontributet“ të publikuar në Albinfo.ch më 10 janar 2012

Për hir të së vërtetës, të shmangies së konfuzionit të sërishëm si dhe për arsye të informimit korrekt të ish kontribuuesve, shtetas nga Kosova të cilët kanë kryer një veprimtari ekonomike në Zvicër e tani për arsye të ndryshme janë larguar nga Zvicra, kanë krijuar vendbanim në Kosovë apo gjetiu dhe tani posedojnë vetëm se shtetësinë e Kosovës duhet thënë si në vijim:Pas marrjes së vendimit të njëanshëm nga Qeveria Zvicerane për mos vazhdimin e marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore në mes të Zvicrës dhe ish Jugosllavisë në raport me Kosovën duke filluar nga 1 prill 2010 për shtetasit nga Kosova përfundon mundësia e eksportimit të përfitimeve në rast të krijimit të vendbanimit jashtë Zvicrës.

Që prej asaj kohe e drejta e përfitimit të plotë nga Sigurimet Shoqërore për shtetasit e Kosovës realizohet vetëm në rast të ruajtjes së vendbanimit në Zvicër pas pensionimit në rast të invaliditetit apo të pleqërisë, njëkohësisht po nga kjo ditë ndërpritet edhe mundësia e eksportimit të shtesave familjare për prindërit të cilët nuk kanë bërë bashkimin familjar dhe fëmijët e tyre banojnë dhe vijojnë shkollimin në Kosovë apo gjetiu.

Për detaje më të hollësishme lidhur me arsyet e marrjes së këtij vendimi, për pasojat që dalin nga ky vendim, për ndikimin në sigurinë shoqërore dhe integritetin e komunitetit nga Kosova në Zvicër është shkruar mjaft dhe shumë shkrime rreth kësaj teme mund të gjinden në Albinfo.ch.

Autori i artikullit citon avokatin Franklin Sedaj si në vijim:

“Kjo për faktin se avokati Sedaj, u ka shpjeguar pensionistëve të interesuar se me ligjet aktuale, nëse asnjë marrëveshje e re nuk arrihet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës deri më 1 prill 2015, atëherë kontributet e tyre mund të humbasin tërësisht.

“Nëse nuk ka marrëveshje të re Kosovë-Zvicër, afati është pesë vjet. Meqë Zvicra e ka ndërpre marrëveshjen me ish Jugosllavinë sa i përket Kosovës më 1 prill 2010, atëherë ka afat vetëm edhe tre vjet” thotë avokati Sedaj për Albinfo.ch.

Parashtrohet pyetja, në cilat ligje aktuale në cilat burime mbështetet kjo thënie? E paqëndrueshme dhe e pambështetur është thënia mbi humbjen e kontributeve gjoja pas një afati pesëvjeçar pas datës zyrtare të mos vazhdimit të marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore.

Por megjithatë edhe në këtë rast ekziston një e vërtetë e izoluar dhe vlen të përmendet. Kjo e vërtetë është vetëm për personat të cilët kanë arrit moshën e pensionimit (femrat 64 vjet dhe meshkujt 65 vjet) pikërisht në muajin mars të vitit 2010, kanë kryer një veprimtari ekonomike më tepër se një vit në Zvicër dhe tani kanë vendbanim në Kosovë. Vetëm për këto raste që ndoshta nuk kanë ekzistuar fare në realitet vlen ky afat pesëvjeçar, pra mundësia e tërheqjes së kontributeve (në rast të mungesës së marrëveshjes) pas një afati 5 vjeçar deri më 31 mars 2015.  E njëjta gjë vlen edhe për personat të cilët kanë vdekur në mars të vitit 2010 me vendbanim në Kosovë, e që kanë kryer një veprimtari ekonomike më së paku një vit në Zvicër. Në këtë rast përfitojnë trashëgimtarët ligjor të tyre. Për të gjithë personat tjera afati i vjetrimit është pesë vite pas rastit të sigurimit e që është individual për çdo person.  

Kthimi i kontributeve për shtetasit e një vendi me të cilin Zvicra nuk posedon marrëveshje ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore është i përcaktuar në  Legjislacionin e Sigurimit të Pensionit të Pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHVG) neni 18, paragrafi 3 http://www.admin.ch/ch/d/sr/8/831.10.de.pdf si dhe në Rregulloren mbi kthimin e kontributeve të Sigurimit të Pleqërisë dhe trashëgimtarëve,e datës 29 nëntor 1995 (versioni 3 dhjetor 2002) e që mund të gjeni në faqen: http://www.admin.ch/ch/d/sr/831_131_12/index.html dhe në udhëzuesin e zbatimit, të vlefshëm nga 1 janar 2003 e që mund të gjeni në faqen: http://www.bsv.admin.ch/vollzug/storage/documents

Në përputhje me nenin 7 të rregullores e drejta në kthimin e kontributeve parashkruhet (vjetrohet) pesë vite pas rastit të sigurimit (Si rast i sigurimit në është arritja e moshës së pensionit 64 për femra dhe 65 për meshkuj apo vdekja që rezulton me të drejtat për trashëgimtarët). Një afat i njëjtë i parashkrimit (vjetrimit) vlen edhe për pensionet e pleqërisë.  

Duke marrë parasysh mundësinë e keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve që mund të lindin në opinion dhe me qëllim të informimit ish kontribuuesit shtetas nga Kosova kemi kërkuar nga drejtuesit e Entit Federal për Sigurime Shoqërore hartimin e një flete  informacioni dedikuar shtetasve nga Kosova. Propozimi ynë është i pranuar dhe pas një bashkëpunimi intensiv në mes të disa përfaqësuesve të organeve të zbatimit të Sigurimeve Shoqërore të kolonës së parë si dhe me angazhimin tim kemi arrit të hartojmë një përfshirje të pasojave që rezultojnë nga mungesa e marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore. Në Pikën 6. Kthimi i kontributeve është i sqaruar qartë afati i parashkrimit (vjetrimit) të kontributeve. Kjo fletë informative është nga fundi i tetorit të vitit 2010 në faqen zyrtare të Entit Federal për Sigurime Shoqërore

http://www.bsv.admin.ch/themen/internationales/aktuell/index.html?lang=de

dhe më vonë është vendosur edhe në faqen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës.

http://mpms.rks-gov.net/Lajmet/Publikimiilajmeve/tabid/116/articleType/ArticleView/articleId/100/language/sq-AL/Sigurimet-Shoqerore-Zvicerane-Pasojat-kryesore-qe-dalin-nga-mos-vazhdimi-i-zbatimit-te-marreveshjes-mbi-sigurimet-shoqerore-me-ish-Jugosllavine-ne-raport-me-Kosoven.aspx

Shkrimi në fjalë vazhdon si më poshtë:

Sa i përket vendimit që ka sjellë Gjykata Federale Administrative se ata që kanë nënshtetësi edhe të Serbisë, u lejohet marrja e pensionit, edhe avokati e pranon një fakt të tillë.Por ai tregon se Enti Federal për Sigurime Sociale e zbaton këtë vendim për ata persona që i paraqesin edhe pasaportën e Serbisë, nëpërmjet së cilës vërtetojnë se kanë dy shtetësi.

Shtetësia paraqet një mundësi shtesë për realizimin në përfitime të Sigurimeve Shoqërore. Duhet potencuar me plot kuptimin e fjalës për opinionin se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për posedimin faktik të pasaportës, respektivisht të nënshtetësisë së Serbisë.

Bëhet fjalë për posedimin e një nënshtetësie (me të cilën Zvicra ka marrëveshje mbi Sigurimet Shoqërore) në kohën e derdhjes së kontributeve. Detaje më të hollësishme lidhur më shumë shtetësinë mund të gjeni në shkrimin të datës 23.03.2011:http://www.albinfo.ch/jeta-n%C3%AB-zvic%C3%ABr/tematike/gjykata-vendos-n%C3%AB-favor-t%C3%AB-shtetasve-nga-kosova-17843

Si dhe të datës 17.10.2010 të publikuar në Albinfo.ch:

http://www.albinfo.ch/e-diaspora/integrimi/gjykata-federale-vendos-n%C3%AB-favor-t%C3%AB-kontribuuesve-nga-kosova-41736

Ndërsa arsyetimin në vendimin e datës 7 mars 2010 të marrë nga Gjykata Federale Administrative, versioni në gjuhën gjermane mund ta gjeni gjithashtu të plotë, të publikuar në faqen e kësaj gjykate në: http://www.bvger.ch/publiws/pub/cache.jsf

Apeloj të gjithë ish kontribuuesit, shtetas nga Kosova, të cilët kanë kryer ndonjë veprimtari ekonomike prej së paku një vit në Zvicër, e që tani jetojnë në Kosovë, të informohet përmes burimeve të autorizuara të Zvicrës e të Kosovës dhe duke qenë të informuar mirë, ta mendojnë mirë para se të bëjnë aplikimin për kthimin e kontributeve, ngase kontributet nuk ka mundësi të humbin por mund të parashkruhen (vjetrohen) vetëm pesë vite pas moshës së rregullt të pensionit apo pas vdekjes.

Duke marrë parasysh të gjitha faktet e përmendura më lart si dhe gjendjen aktuale të vendimeve të njëpasnjëshme të Gjykatës Federale Administrative të Zvicrës e së fundi është marrë një vendim bile këtë vit, pra më 3 janar 2012 për vazhdimin e vlefshmërisë së marrëveshjes, tani së shpejti do të ishte më tepër se e arsyeshme të krijohet mundësia që të aplikoni për pensione e jo më për kthimin e kontributeve.Ruzhdi Ibrahimi Specialist i Sigurimeve Shoqërore