Lajme

Anri Sala merr çmimin “Absolut Art Award”

Në videot e tij Anri Sala lidh historinë e vendit të tij me jetën moderne e kozmopolite që e jeton ai sot

Artisti shqiptar, i njohur në botë, Anri Sala, ka fituar në Stokholm çmimin “Absolut Art Award” 2011, të cilin prej tri vitesh e ndan prodhuesi suedez i pijes alkoolike Wodka.

Cmimet i ka ndarë një juri në kreun e të cilës ka qenë kuratorja e Muzeut të njohur të parisit Centre Pompidou. Çmimi i është dhënë “një artisti ndërkombëtar, i cili në një mënyrë veçanërisht të spikatur lidh mes vete trajtat e ndryshme të artit”, thuhet në arsyetimin e jurisë. Dhe, artist i tillë për këtë vit ka qenë Anri Sala.

Pikërëndesë kryesore në krijimtarinë e Salës, si shprehje artistike është videoja. Aktualisht ai është i vendosur në Berlin ku, në studion e tij i është përkushtuar ideve dhe mënyrave të reja të prezantimit. Në Berlin atë e fascinon shumëllojshmëria, e cila në të njëjtën kohë është kaq e thjeshtë dhe e pa ndërlikuar, shkruan revista “Les mads”.

Në videot e tij ai lidh historinë e vendit të tij me jetën moderne e kozmopolite që e jeton ai sot.

Çmimin “Absolut Art Award” në vitin 2009 e ka fituar Keren Cytter ndërsa në vitin 2010 Rirkrit Tiravanija.