Kosova

Amerikanët përkrahin deklaratën e ministrit gjerman për Serbinë

“Nëse Serbia do të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian, kusht i parë është ndërtimi i një rendi të sundimit të ligjit, por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, kishte deklaruar Gabriel në vizitën e tij në Prishtinë

Komisioni i Punëve të Jashtme të Demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka përkrahur deklarimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, se Serbia duhet ta njohë Kosovën nëse do anëtarësim në Bashkimin Evropian, njofton Klan Kosova.

“Ministri i Jashtëm gjerman është 100 për qind i saktë”, thuhet në një postim në “Twitter” të komisionit amerikan që udhëhiqet nga kongresmeni, Eliot Engel, ku është shpërndarë edhe citati i Gabriel.

“Nëse Serbia do të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian, kusht i parë është ndërtimi i një rendi të sundimit të ligjit, por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, kishte deklaruar Gabriel në vizitën e tij në Prishtinë.

Deklarata e tij nuk është pritur aspak mirë në Beograd dhe është parë si një lloj tradhtie, derisa e kundërta është parë në Prishtinë, dhe një lloj mbështetje e madhe e Gjermanisë ndaj Kosovës, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë.