Lajme

Ambasadori Xhakaliu fton gjermanët të investojnë në Kosovë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, nëpërmjet një shkrimi autorial të botuar në Revistën Diplomatike gjermane u ka bërë thirrje investitorëve gjermanë që të investojnë në Kosovë.

Xhakaliu në një tekst në Revistën Diplomatike gjermane ka shkruar se në Kosovë ka progres në të gjitha fushat, me theks të veçantë në kushtet e favorshme të krijuara për stabilitet të qëndrueshëm ekonomik dhe politik.

“Republika e Kosovës është shndërruar në një qendër të rëndësishme lidhëse në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore, si dhe në detin Adriatik dhe Detin e Zi”, shkruan ndër të tjera Xhakaliu.

Diplomati kosovar ka prezantuar në detaje edhe resurset e shumta ekonomike të Kosovës, duke vënë theksin në resurset njerëzore, duke e ilustruar këtë me faktin se më shumë se 50% e popullsisë është nën moshën 25-vjeçare.

“Për të tërhequr investitorë nga jashtë, posaçërisht nga Gjermania, ky shtet i vogël ballkanik gjatë viteve të fundit ka punuar shumë. Kosova ka arritur progres të dukshëm në zhvillimin e një tregu ekonomik të lirë dhe modern. Në vitin 2011 Republika e Kosovës pati një rritje ekonomike prej 5,5%, kurse për vitin 2012 pritet një rritje ekonomike prej 4,5%. Me valutë zyrtare euron dhe me një kuotë të inflacionit prej vetëm 3%, gjatë pesë vjetëve të fundit, Kosova ka arritur të krijojë një ambient makroekonomik shumë stabil”, thotë Xhakaliu.

Ai ka bërë të ditur se për investimet dhe bizneset është krijuar një klimë shumë e favorshme me normë të ulët dhe me një sistem të thjeshtë të tatimeve.

“Republika e Kosovës ka një nga regjimet më liberale të tregtisë në Evropë, me një normë tarifore prej vetëm 10% për importin dhe 0% për eksportin. Kosova është po ashtu anëtare e Marrëveshjes së CAFTA-s dhe gëzon një qasje tejet të favorshme si në tregjet e Bashkimit Evropian, po ashtu dhe në ato të SHBA-së”.

Madje ka dhënë informata edhe rreth avancimit të legjislacionit në krijimin e kushteve të sigurisë për investitorët.

Ambasadori Xhakaliu po ashtu ka folur për mundësitë shumë të favorshme për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, para se gjithash në sektorin e energjetikës, potencialin shumë atraktiv nga minierat me pasuri natyrore, si plumb, zink, nikel, uranium, argjend, ari, bakër dhe magnezit, në sektorin e bujqësisë, si dhe nëpërmes ndërtimit të një industrie vendëse me inxhinieri të thjeshtë, industri ushqimore, veshje, mobilje etj.

“Sot lirisht mund të themi që Republika e Kosovës është një shtet shumetnik demokratik, i cili me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, në fillim të shtatorit të këtij viti do të marrë sovranitetin e plotë. Shpresa e kosovarëve është që vendlindja e tyre në një afat jo shumë të largët të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, thotë Xhakaliu.

Në ambasadën kosovare në Berlin Xhakaliu ka ardhur si ambasador prej muajit qershor. Xhakaliu është ambasadori i dytë i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë.