Kosova

Njoftim i Ambasadës së Kosovës në Suedi për bashkatdhetarët

Ambasada e Kosovës në Suedi sot ka njoftuar se bashkatdhetarëve shqiptarë që jetojnë në këtë shtet tash e tutje, në dokumentet e tyre do të figurojë vetëm shteti i Kosovës, raporton Albinfo.ch.

Kko ambasadë bën të ditur se ka trajtuar shqetësimet e bashkëkombasve që jetojnë atje, e të cilëve në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, u është shënuar edhe Serbia.

Andaj kjo ambasadë bëri të ditur se pas komunikimit me autoritetet suedeze një problematikë e tillë është zgjidhur.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar bashkatdhetarë,

Kemi nderin dhe kënqësinë të ndajmë me ju lajmin e mirë dhe të shumëpritur lidhur me problematikën e kahmotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, e cila përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv.

Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia. Kesaj cështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, cështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses.

Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:

• Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë

• Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort

• Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës.

Ju falënderojmë për adresimin e këtij problemi në Ambasadë, bashkëpunimin si dhe për durimin e treguar!

Gjithmonë në shërbimin tuaj,
Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm