Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallë të dielën, më 14 korrik, në orën 11:30, aktgjykimin ndaj Pjetër Shalës në lidhje me apelimin e dënimit për krime lufte, raporton albinfo.ch.
Seanca do të jetë publike dhe e transmetueshme drejtpërdrejt në gjuhët shqipe, serbe dhe anglishte në faqen zyrtare të gjykatës, me një vonesë prej 10 minutash, si dhe e hapur për publikun në sallën përkatëse.
Shala ishte shpallur fajtor më 16 korrik 2023 për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim. Më 2 shtator 2024, mbrojtja e tij kishte dorëzuar apel ndaj këtij aktgjykimi, duke kundërshtuar gjetjet e gjykatës së shkallës së parë.
Sipas Prokurorisë, krimet për të cilat Shala u shpall fajtor ndodhën midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë, ku ai dhe pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dyshohet se kishin ndaluar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore persona që dyshoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe apo që nuk mbështesnin UÇK-në, raporton albinfo.ch.
Viktimat, që nuk kishin marrë pjesë aktive në luftime, ishin, sipas aktakuzës, rrahur me mjete të ndryshme, kërcënuar me vdekje, poshtëruar, marrë në pyetje dhe, në disa raste, ishin detyruar të japin deklarata apo informacione nën trysni.
Gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar se Shala kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në krime, kishte dështuar të parandalonte keqtrajtimet dhe kishte ndihmuar apo inkurajuar të tjerët në kryerjen e tyre. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar ligjërisht, raporton albinfo.ch.