Kosova

Aeroporti i Prishtinës regjistroi katër milionë pasagjerë

Aeroporti i Prishtinës ka regjistruar të premten pasagjerin e katërmiliontë në vitin 2024.

Në ceremoninë për këtë arritje, kryeministri Albin Kurti bëri krahasime me vitin 2021 duke thënë se tash është dyfishuar numri i pasagjerëve, ka pasur rritje 46 për qind të fluturimeve dhe janë shtuar 16 destinacione e 16 operatorë të rinj.

Vitin e shkuar Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 3.4 milionë pasagjerë, sipas statistikave që kanë qarkulluar, ndërkohë që ky është viti i parë pas liberalizimit të vizave.

Sivjet po ashtu janë shtuar edhe portat e nisjes së udhëtarëve e janë instaluar sportelet për check-in me vetë-shërbim dhe kiosqe për vetëdorëzim e bagazheve.