Lajme
AEAUL, shoqata më e vjetër e studentëve shqiptarë në Zvicër
Përveç se është e para, AEAUL është edhe më jetëgjata. Ajo vazhdon të funksionojë edhe sot, mbi 30 vite pas themelimit

Ndër subjektet e para të organizuara të komunitetit shqiptarë në Zvicër, që marrin hov nga fillimi i viteve `90 të shekullit të kaluar, bën pjesë edhe AEAUL, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lozanës. Kjo shoqatë, përveç se është e para sa i takon organizimit të studentëve, është edhe më jetëgjata, pra, ajo vazhdon të funksionojë edhe sot, mbi 30 vite pas themelimit.
Zëvendëskryetarja e AEAUL, Fane Shala tregon për Albinfo.ch se si ka rrjedhur puna ndër vite e kësaj shoqate me një bagazh të madh veprimtarish dhe suksesesh. Ajo flet edhe për sfidat me të cilat përballet shoqata, për arritjet e deritashme dhe për vizionin e saj në të ardhmen.
“Shoqata AEAUL u themelua më 3 dhjetor 1994 nga një grup aktivistësh studentorë, të kryesuar nga Driton Kajtazi, në Universitetin e Lozanës. Që nga themelimi i saj, shoqata ka punuar për të mbështetur studentët shqiptarë dhe për të krijuar një komunitet të fortë dhe të bashkuar në mjedisin universitar ndërkombëtar ku ndodhet. Një arritje e rëndësishme për ne ishte edhe njohja zyrtare nga EPFL që nga shtatori i vitit 2024, gjë që përbën një hap të madh për institucionalizimin dhe rritjen e shoqatës”, veçon z. Shala.
Lidhur me misionin e shoqatës që bashkëdrejton, ajo thotë se aktivitetet studentore të gërshetuara me ato të promovimit të identitetit kombëtar janë në fokus të shoqatës, që nga fillimi. “Misioni dhe qëllimi i AEAUL janë të krijojnë një komunitet të fortë studentor shqiptar në Lozanë, ku anëtarët mund të ndihen të kuptuar, të mbështetur dhe të bashkuar përmes aktiviteteve kulturore, akademike dhe rrjetëzimit. Shoqata vepron në fusha të ndryshme si rrjetëzimi studentor, aktivitete kulturore që ruajnë dhe promovojnë identitetin shqiptar, mbështetje akademike për studentët në sfidat e studimeve, si dhe forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe bashkësisë mes anëtarëve”.
AEAUL, më shumë se një grup studentësh
Një nga projektet tona më të suksesshme dhe domethënëse ishte gala për 30-vjetorin e AEAUL, e cila mblodhi breza të tërë studentësh shqiptarë në Zvicër – nga themeluesit deri te anëtarët më të rinj. Ajo mbrëmje tregoi fuqinë e komunitetit tonë dhe sa thellë ka lënë gjurmë kjo shoqatë ndër vite. AEAUL nuk është thjesht një grup studentësh – është një vend ku krijohen lidhje që shkojnë përtej miqësisë.
Çfarë e bën të veçantë është se ndajmë të njëjtën kulturë, por shumica prej nesh janë rritur larg prejardhjes sonë, shpesh duke jetuar mes dy identiteteve. Kjo ndjenjë e përkatësisë së dyfishtë, e cila ndonjëherë sjell konfuzion apo ndarje të brendshme, është e kuptueshme mes nesh në mënyrë shumë të natyrshme. Në shoqatë, nuk ke nevojë të shpjegosh veten – kuptohemi menjëherë. Kjo është edhe arsyeja pse krijuam podcastin tonë “Fol Shlir”, një platformë ku trajtojmë tema si identiteti i dyfishtë, jeta mes dy kulturave, presioni familjar, përvojat universitare, dhe shumë të tjera me të cilat anëtarët tanë mund të identifikohen drejtpërdrejt. Ky projekt ka sjellë reflektim, diskutim të hapur dhe një mënyrë shumë autentike për të ndarë përvojat tona si të rinj shqiptarë në Zvicër.
Sfida e rritjes së anëtarësisë
“Aktualisht kemi rreth 30 anëtarë aktivë, të cilët marrin pjesë rregullisht në aktivitetet tona dhe kontribuojnë në organizimin e eventeve. Për çdo aktivitet që organizojmë, këta anëtarë janë gjithmonë të pranishëm dhe të angazhuar. Megjithatë, komuniteti ynë më i gjerë është shumë më i madh – kemi mbi 1700 ndjekës në rrjetet sociale, dhe për eventet më të mëdha, si p.sh. gala apo mbrëmje kulturore, na bashkohen deri në 100 pjesëmarrës të tjerë që nuk janë aktivë në baza të rregullta, por ndjekin nga afër veprimtarinë tonë.
Një nga sfidat tona kryesore është pikërisht kjo: të gjejmë mënyra për të aktivizuar më shumë prej këtyre ndjekësve dhe për të organizuar aktivitete që flasin për të gjithë, pavarësisht nivelit të angazhimit. Balancimi mes një programi tërheqës dhe pjesëmarrjes së qëndrueshme mbetet një sfidë e vazhdueshme për çdo shoqatë studentore”.
Takime ndërmjet brezave të studentëve
“Një nga arritjet që na bën më krenarë është fakti që AEAUL ka lënë gjurmë te breza të tërë studentësh shqiptarë, dhe kjo vazhdimësi është e prekshme edhe sot. Një shembull konkret është eventi ynë i fundit i networking, ku patëm të ftuar alumni shqiptarë nga EPFL që dikur kanë qenë anëtarë të AEAUL. Për ta, ishte një krenari të rikthehen dhe të ndajnë rrugëtimin e tyre profesional me studentët aktualë – me njerëz që janë sot në të njëjtën pozitë ku ata vetë kanë qenë disa vite më parë.
Ky lloj takimi forcon lidhjet ndërbrezore dhe tregon se shoqata nuk është vetëm për kohën e studimeve, por është një lidhje që mbetet edhe më vonë, si pjesë e identitetit dhe kujtesës së përbashkët. Fakti që ish-anëtarë kthehen për të kontribuar, për të udhëzuar dhe për të frymëzuar të tjerët, është një dëshmi e fuqishme e vlerës dhe ndikimit që AEAUL ka pasur ndër vite – dhe kjo është padyshim një nga arritjet tona më të mëdha”, thekson zëvendëskryetarja e shoqatës.
Bashkëpunimi me shoqatat
“Bashkëpunimi me shoqata të tjera shqiptare brenda dhe jashtë Zvicrës është një pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë sonë. Një nga përvojat më të veçanta që kemi pasur ishte udhëtimi në Sicili në pranverën e vitit 2024, organizuar në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave të Studentëve Shqiptarë në Zvicër. Ky udhëtim mblodhi rreth 50 studentë shqiptarë nga e gjithë Zvicra dhe u kthye në një përvojë të paharrueshme për të gjithë. Vizituam Horën dhe fshatrat tjera arbëreshe, dhe patëm mundësinë të prekim nga afër trashëgiminë tonë kulturore – një përjetim shumë i pasur dhe emocional. Ky udhëtim na tregoi se, edhe pa qenë takuar më parë, ekziston një lidhje e fortë mes nesh si shqiptarë, që kalon përtej distancës dhe që forcohet natyrshëm në bashkëpunim. Përveç kësaj, çdo vit, organizojmë aktivitete tradicionale si Festa e Flamurit në bashkëpunim me shoqata të tjera shqiptare, si ato të Gjenevës, Neuchâtelit apo Fribourgut. Këto bashkëpunime nuk janë vetëm praktike, por mbartin një vlerë të madhe simbolike – tregojnë se forca jonë qëndron në unitetin tonë, dhe që identiteti ynë ruhet dhe forcohet më së miri kur jemi bashkë”, shton z. Shala.
Perspektiva dhe vizioni
“E ardhmja e AEAUL shihet me optimizëm dhe përkushtim. Ne synojmë që të vazhdojmë në frymën e brezave para nesh, duke ruajtur qëllimet themelore të shoqatës, por gjithashtu duke u përmirësuar vazhdimisht. Do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë, me aktivitete që jo vetëm bashkojnë, por që edhe lënë gjurmë, kanë ndikim dhe përçojnë vlera. Një nga objektivat tona kryesore për të ardhmen është të zgjerojmë komunitetin aktiv, të rrisim numrin e anëtarëve, dhe të bëjmë që AEAUL të njihet edhe më shumë brenda universitetit. Shpesh ndodh që shumë studentë shqiptarë hezitojnë të vijnë në fillim – ndoshta nga pasiguria apo mungesa e njohjes. Ne duam të gjejmë mënyra për t’i çliruar ata nga kjo ndjenjë dhe t’i inkurajojmë të afrohen, sepse kur vijnë, kuptojnë që janë mes të vetëve – në një ambient që i kupton dhe i mirëpret pa rezervë”, përfundon Fana Shala, zëvendëskryetare e AEAUL.
Përvoja e bukur e vizitës tek arbëreshët, në Sicili
Një nga përvojat më të veçanta që kemi pasur ishte udhëtimi në Sicili në pranverën e vitit 2024, organizuar në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave të Studentëve Shqiptarë në Zvicër. Ky udhëtim mblodhi rreth 50 studentë shqiptarë nga e gjithë Zvicra dhe u kthye në një përvojë të paharrueshme për të gjithë. Vizituam Horën dhe fshatrat tjera arbëreshe, dhe patëm mundësinë të prekim nga afër trashëgiminë tonë kulturore – një përjetim shumë i pasur dhe emocional.
E-Diaspora
-
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2025 Albanian Engineering of Switzerland ka prezantuar tre të nominuarit përfundimtarë për Çmimin e Ekselencës Akademike 2025....
-
Komente ksenofobe kundër shqiptarëve në Zvicër: komuniteti përgjigjet fuqishëm!
-
Donin të hynin ilegalisht në Gjermani, kthehen mbrapsht 5 shqiptarë
-
Gjenerata që sakrifikoi gjithçka për atdhe
-
Protestë masive në Hagë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së
Jeta në Austri
-
“In Between” – Ekspozita e Albana Ejupit, ku piktura takohet me skulpturën Dialogu artistik i Albanës Ejupi midis dy dhe tre dimensioneve...
-
Shtetasi kosovar arrestohet për vjedhje me thyerje në shtëpi familjare
-
“Dita Kulturore Shqiptare” rikthehet në Graz, shqiptarët bashkohen më 28 shtator
-
Rritja e kostove çon në largimin e Wizz Air nga Aeroporti i Vjenës
-
Edona Bilali sjell në Shkodër dy programe doktorale austriake