Lajme
Aborti i fëmijëve femra, prish barazpeshën e gjinive në Shqipëri!
"Në shtatzëninë e fundit, burri im desh më mbyti, kur kuptoi se nukdo t`i sillja djalë në shtëpi..."

“Abortet që bëhen sipas përzgjedhjes së gjinisë (në dëm të femrave) po e bëjnë Shqipërinë një vend ku nuk ka baraspeshë në mes të gjinive!” Me këtë hyrje alarmon artikulli i botuar në gazetën austriake “Der Standard” në lidhje me trajtimin e femrës si barrë e padëshirueshme nga shumë prindër të fiksuar që fëmija që do t`u lindë të jetë gjithsesi i gjinisë mashkullore.
“Edhe në vajzë”, i thotë Roza e dëshpëruar, mjekut, ndërkohë që lotët i rrjedhin mbi fytyrën e saj të zbehtë. “Unë nuk mundem ta mbaj, doktor, unë i kam tashmë tri vajza”. Roza është shtatzënë në muajin e katërt dhe në këtë gjendje, aborti legal është i pamundur. Por, Roza është e vendosur që të heqë qafe foshnjën, edhe nëse me këtë rast do të rrezikojë jetën.
Në Shqipëri, një skenë e tillë është mjaft e shpeshtë.
“Herën e fundit, burri im desh më mbyti. Ai u bë i dhunshëm kur kuptoi se nuk mund t`i sillja djalë në shtëpi. Njësoj u xhindos edhe vjehrra”, tregon Roza.
Këshilli i Evropës tashmë po tërheq vërejtjen për prishjen e baraspeshës në mes të djemve dhe vajzave, dukuri që po ndodh për shkak të abortimeve mbi bazë gjinore. Kjo do të thotë që, kur nëna shtatzënë e kupton përmes ultrazërit se do të lindë vajzë dhe jo djalë, ajo merr masa që ta abortojë atë!
Në kushte normale, në 105 lindje të gjinisë mashkullore bien 100 lindje të asaj femërore. Mirëpo në Shqipëri tashmë ky proporcion është prishur dukshëm. Atje linden 112 djem krahas 100 vajzave!
Në Shqipëri abortimi është legalizuar në fillim të viteve nëntëdhjetë. Prej atëherë, ndërprerja e shtatzënisë është e lejuar deri në javën e 12. Ndonëse abortimet për shkak të gjinisë ndalohen shprehimisht, ligji përkatës, sipas Këshillit të Evropës, nuk parasheh dënim për ata që nuk i përmbahen.
Qëkur gjinia e fëmijës mund të mësohet përmes ultrazërit qysh në barkun e nënës, kjo praktikë po shpeshtohet. Një ultrazë kushton rreth 15 euro ndërsa për një abort, në klinikat private i kërkojnë 150 euro. Kjo është shumë më lirë se sa sigurimi i një trashëgimtari mashkull, përmes fekondimit artificial, që kushton disa mijëra euro.
Në një rezolutë që ka miratuar Këshilli i Evropës në tetor, tërhiqet vërejtja se seleksionimi gjinor prenatal ka marrë përmasa shqetësuese. Ekspertët alarmojnë se një mosbarazpeshë e tillë i çrregullon strukturat demografike, stimulon trafikun me femra dhe fut pakënaqësi në mesin e meshkujve të rinj, të cilët, për pasojë, nuk munden të gjejnë partnere.
Për këtë arsye, 47 shtetet e KE-së u kërkojnë vendeve si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia që të hulumtojnë lidhur me baraspeshën e prishur gjinore dhe të mbikëqyrin numrin e lindjeve.
Ndërkaq, Tirana zyrtare, e cila mban shpresa për kandidaturën për BE, nuk sheh nevojë për veprim. Kështu, Qeveria e Shqipërisë i argumenton KE-së se shpërpjesëtimi në mes të gjinive është “fenomen sporadik”, i cili, veç kësaj, paraqitet vetëm në disa regjione të izoluara.
Drejtoresha e spitalit, Rubena Moisiu propozon një zgjidhje të thjeshtë: ajo kërkon të ndalohet zbulimi i gjinisë së fetusit, fëmijës para se të lindet.
Deri më tash, pyetja e parë te shumë gra shqiptare ka qenë dhe mbetet: “A është djalë apo vajzë?” dhe jo: “A është foshnja e shëndetshme”. Është mentaliteti, të cilin ne duhet ta ndryshojmë”, kërkon Moisiu.
E-Diaspora
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen Raportohet se një 18-vjeçar nga Kosova është mbytur në një liqen në Gjermani...
-
Mira Murati këtë vikend martohet në një ceremoni private në Toskanë
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
-
Dita e Çlirimit të Kosovës u festua me krenari në Stokholm
-
Prishtinë: Arrestohet 23 vjeçari i kërkuar nga Interpoli në Austri
Jeta në Austri
-
Ekstremi i djathtë në Austri përpiqet të shfrytëzojë tragjedinë në Graz për përçarje dhe urrejtje Pas të shtënave tragjike në shkollën e Grazit, zëra të ekstremit të djathtë në Austri po...
-
Austri: Sa po zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
-
Policia e Vjenës do të mbyllë 2/3 e stacioneve gjatë fundjavave dhe festave
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
-
Austri: Shpenzimet e shëndetësisë rriten me 8% në 57 miliardë euro në 2024-ën