Lajme

A janë të përgatitura shkollat zvicerane për sulme të armatosura?

Sulmi tragjik në një shkollë të mesme në Graz, ku 21-vjeçari Artur A. vrau dhjetë persona brenda vetëm 17 minutash, ka tronditur thellësisht opinionin publik në Austri dhe përtej kufijve, duke shkaktuar frikë dhe debat të gjerë edhe në Zvicër, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja brutale ka vënë në qendër të vëmendjes pyetjen thelbësore: Sa të përgatitura janë shkollat zvicerane për një skenar të tillë të paimagjinueshëm?

Ndërsa deri më sot Zvicra nuk ka përjetuar një të shtënë masive në shkollë me viktima, autoritetet arsimore dhe institucionet shkollore janë duke marrë masa parandaluese serioze për të shmangur situata të tilla. Dr. Beat A. Schwendimann nga Shoqata e Mësuesve Zviceranë sqaron se shumica e shkollave kanë protokolle emergjente të miratuara dhe të rishikuara rregullisht për rastet e sulmeve të mundshme me armë.

Masat përfshijnë:

• Marrjen seriozisht të çdo kërcënimi dhe njoftimin e menjëhershëm të policisë
• Mbylljen dhe barrikadimin e klasave
• Kalimin e komandës te autoritetet përkatëse
• Komunikim të koordinuar me prindërit
• Evakuim, nëse situata e lejon

Përtej masave operative, fokusi është gjithnjë e më shumë në ndërhyrjen në kriza dhe parandalimin e hershëm. “Është thelbësore të identifikohen sinjalet paralajmëruese dhe të ndihmohen të rinjtë para se të ndihen të shtyrë drejt një akti të dhunshëm,” thotë Schwendimann. Për këtë arsye, shumë shkolla kanë ngritur ekipe ndërhyrjeje që aktivizohen në situata emergjente, transmeton albinfo.ch.

Kantoni i Cyrihut, ndër të tjerë, ka ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës sigurie, përfshirë një aplikacion emergjence për shkollat që përmban udhëzime për skenarë të ndryshëm. Ai mund të përdoret për alarmim dhe komunikim të shpejtë. Ndërkohë, mësuesit trajnohen rregullisht dhe pajisen me udhëzime të qarta për mënyrën e reagimit në rast krizash.

Megjithëse masat janë shtuar, ekspertët theksojnë se shkollat nuk duhet të shndërrohen në fortesa. “Siguria është prioritet, por pa krijuar panik të panevojshëm,” nënvizon Schwendimann.

Një shqetësim shtesë është edhe rritja e alarmimeve të rreme nëpër shkolla, të nxitura shpesh nga sfida virale në rrjetet sociale si Snapchat, TikTok apo Telegram. Kërcënime anonime, të cilat shpesh fillojnë si “shaka” ose “teste guximi”, kanë detyruar autoritetet dhe shkollat të intensifikojnë ndjeshëm përpjekjet për siguri edhe në hapësirën digjitale, transmeton albinfo.ch.