Bota
A do të bëhet shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Gjermani
Në 100 ditët e qeverisë Merz, u shfaqën edhe dallimet midis partnerëve të koalicionit. Nuk ka akoma një marrëveshje të plotë as për shërbimin ushtarak
Bundeswehr-i ka nevojë urgjente për më shumë ushtarë. Partnerët e koalicionit, kristiandemokratët dhe socialdemokratët janë dakord për këtë. Kancelari Friedrich Merz synon që Bundeswehr-i të bëhet ushtria më e fortë konvencionale në Evropë, gjë që kërkon pajisje më moderne dhe një shtim të madh të trupave përtej 183,000 anëtarëve aktualë. Sipas standardeve të NATO-s dhe bazuar në popullsinë e Gjermanisë, ushtria duhet të rritet me rreth 60,000 ushtarë të rinj, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
Si do të rritet Bundeswehr-i?
Këtu qëndrimi i partive ndahet. Për SPD-në, zgjidhja është reformimi i shërbimit ushtarak vullnetar. Megjithatë, projektligji i Ministrisë së Mbrojtjes nuk i ka bindur të gjithë. Mosmarrëveshja brenda koalicionit ka të bëjë me një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare: aftësinë mbrojtëse të Gjermanisë.
Sipas projektligjit, nga viti 2026 shërbimi ushtarak mbetet vullnetar, por do të bëhet më tërheqës për të rinjtë. Detyrimi i përgjithshëm ushtarak, i cili ishte në fuqi deri më 2011, nuk është paraparë. Kjo përkon edhe me marrëveshjen e koalicionit që synon një shërbim të ri, tërheqës dhe fillimisht të bazuar te vullnetarizmi.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, beson se një shërbim ushtarak më interesant dhe më i paguar do të tërheqë mjaftueshëm të rinj. Sipas tij, çdo vit mund të rekrutohen mesatarisht 25,000 deri në 30,000 ushtarë të rinj. Për këtë arsye është paraparë rritja e pagave, modernizimi i trajnimit, përdorimi i dronëve, kurse gjuhe dhe mundësi të tjera. Shërbimi do të zgjasë të paktën gjashtë muaj.
Skepticizëm nga CDU/CSU
Kristiandemokratët dyshojnë se vetëm vullnetarizmi do të mjaftojë. Sipas Norbert Röttgen, projektligji nuk i përmend fare objektivat e NATO-s. Ligji megjithatë parashikon që të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë, meshkuj dhe femra, do të marrin një letër nga Bundeswehr-i me një pyetësor mbi gatishmërinë e tyre. Synimi është që të rinjtë ta marrin parasysh shërbimin ushtarak.
Që nga tani, numri i rekrutëve është në rritje. Në fund të korrikut ishin regjistruar mbi 11,000 rekrutë, rreth 15 për qind më shumë se vitin e kaluar. Përveç kësaj, ligji i ri parashikon që të rinjtë të thirren për ekzaminim mjekësor, edhe nëse nuk shprehin interes. Ky detyrim pritet të hyjë në fuqi nga viti 2028, megjithëse disa politikanë kërkojnë ta përshpejtojnë.
Modeli i Suedisë si shembull
Gjermania merr shembull nga Suedia, ku të rinjtë janë të detyruar të shërbejnë vetëm nëse ka mungesë vullnetarësh. Në Gjermani, një mekanizëm i tillë nuk është parashikuar. Nëse shërbimi ushtarak vullnetar nuk sjell rezultatet e pritura ose në rast të një përkeqësimi të sigurisë, Bundestagu mund të vendosë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.
Kryetari i grupit parlamentar të SPD-së, Matthias Miersch, ka theksuar se rikthimi i detyrimit ushtarak nuk do të jetë pjesë e mandatit aktual deri në vitin 2029. Në të kundërt, shumë zëra në CDU/CSU do të donin që rikthimi të përfshihej që tani, duke paralajmëruar për rrezikun në rritje nga Rusia.
Shërbimi ushtarak u shfuqizua në vitin 2011 nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg (CSU). Kancelari aktual Friedrich Merz e konsideron këtë vendim një gabim, por ende nuk ka propozuar një zgjidhje konkrete.
E-Diaspora
-
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar Lea Ypi prezanton librin “Të poshtëruar” në Stokholm... -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj -
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles -
Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës -
Gjermani: Policia gjen mbi dy kilogramë kokainë në makinën e shqiptarit
Jeta në Austri
-
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese










