Lajme

A do ta ekstradojë Zvicra shtetasin e Kosovës në Serbi?!

Familja e SH.N, e shqetësuar për ekstradimin e tij të mundshëm. Avokatët dhe Ambasada e Kosovës shpresojnë të evitojnë më të keqen

Rreth dy javë më parë, më saktësisht më 14 prill, SH. N., qytetar i Kosovës dhe i Serbisë, me qëndrim në Vevey të Zvicrës arrestohet nga policia zvicerane, në bazë të një kërkese të bërë nga autoritetet serbe. Serbët e ngarkojnë Sh.N.-në (nga Presheva), me pjesëmarrje në të ashtuquajturin “Grupi i Gjilanit”, i cili, sipas tyre ka bërë krime kundër civilëve serbë në ditët e para të pasluftës në Gjilan.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë rrëfim”, na thotë Sherifi, vëllai i Sh. N. i kontaktuar nga albinfo.ch përmes telefonit. “Vëllai ynë, Sh., në kohën për të cilën e ngarkon aktakuza serbe nuk ka qenë fare në Kosovë. Gjatë asaj kohe ai ka qëndruar në Kumanovë dhe në asnjë mënyrë nuk ka mundur të ishte pjesëtar i UÇK-së. Vëllai, pas luftës, për një kohë ka jetuar në Kosovë, në Gjilan, ku dhe ka marrë shtetësinë e Kosovës”, thotë Sherifi nga Presheva i cili prej vitesh jeton në Vevey të Zvicrës.

Avokatët: Po bëjmë gjithçka për të stopuar ekstradimin

Jacques Barillon

Ai thotë s e vëllai i tij është arrestuar më 14 prill dhe se familjes nuk i është kumtuar asgjë. “Vetëm nga avokatët e tij kemi marrë vesh diçka por jo shumë. Siç e dini, në fund të vitit 2009 serbët kanë arrestuar një grup shqiptarësh të komunës së Preshevës, të akuzuar si pjesëmarrës të grupit të përmendur, thotë Sherifi. Por, edhe pse ata janë arrestuar pa të drejtë, vëllai im nuk ka fare të bëjë as me ta”.

Sh.N. jeton prej 10 vitesh në Zvicër, ku vazhdimisht ka punuar dhe ka statusin e qëndrimit B.

Sherifi, vëllai i të arrestuarit, thotë se ka fare pak informata lidhur me procedurën që po zhvillohet ndaj vëllait, prandaj na udhëzon te avokatët e tij.

Avokati i njohur nga Gjeneva Jacques Barillon dhe ai nga Lozana Ludovic Tireli, për shkaqe të kuptueshme, në prononcimet e tyre për albinfo.ch tregohen shumë të kursyer. “Unë, së bashku me kolegun tim nga Vaud-i, z. Ludovik Tirelli,dhe bashkëpunëtoren time, znj Valerie Pache Havel, jam duke e siguruar mbrojtjen e SH.N.

Ne po përpiqemi që, përmes kanaleve ligjore të hapura për ne, të bëjmë gjithçka që të pamundësojmë ekstradimin e klientit tonë te autoritetet serbe. Klienti ynë mohon me vendosmëri çfarëdo përfshirje në veprimet e supozuara që i vishen atij dhe për të cilat është kërkuar ekstradimi i tij”, ka thënë z. Barillon.

Ndërsa lidhur me atë se a mund të jetë alternativë e ekstradimit në Serbi kthimi i Sh N. në Kosovë dhe lidhur me  trajtimin e rastit të tij nga juridiksioni zviceran, z. Barillon thotë se nuk mund të shprehet publikisht. Kolegu i tij, avokati Tirelli, thotë për Albinfo.ch se në interes të mbrojtjes së klientit, aktualisht nuk mund të ofrojë  më shumë të dhëna, përveç që, siç u shpreh “po përpiqemi, së bashku me ekipin, për të bërë më të mirën, në favor të klientit.”

Ekstradimi në Serbi mund të dëmtojë raportet Zvicër-Kosovë!

Fakti se SH.N. ka shtetësinë kosovare ka obliguar edhe Ambasadën e Kosovës në Bernë që t`i bëjë përçapjet e nevojshme. Një burim nga Ambasada thotë se menjëherë pas njoftimit për arrestimin, përfaqësia jonë ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. “Meqë i arrestuari ka edhe shtetësinë kosovare, ambasada ka bërë përpjekjet që i takojnë në raste të tilla. Ajo ka ofruar dokumentacionin e duhur që dëshmon shtetësinë kosovare të tij dhe i ka shprehur autoriteteve zvicerane shqetësimin për rrezikun të cilit do t`i nënshtrohej shtetasi ynë po të kthehej në Beograd.

Burimi thotë me bindje të plotë se SHN akuzohet pa të drejtë, pasi nuk ka qenë fare pjesëtar i UÇK-së dhe nuk ka pasur si të ishte pjesëtar i grupit të ashtuquajtur të Gjilanit, siç ia mveshin. “Ka dëshmi të forta se në kohën për të cilën bën fjalë akuza ai nuk kishte qenë fare as në Kosovë”. Burimi thotë se ka arsye të forta për të besuar që Zvicra nuk do ta ekstradojë atë. Madje, sipas tij, pala kosovare u ka shprehur shqetësimin autoriteteve zvicerane se një ekstradim i tillë do të rëndonte raportet Zvicër Kosovë. Kjo, sidomos duke pasur parasysh frymën kooperative që ka treguar Kosova në rastet e ekstradimeve të qytetarëve të saj, kur kjo është kërkuar nga Zvicra.

Zvicra refuzon kërkesat për ekstradim vetëm për shtetasit e saj

Lidhur me procedurën që po ndiqet në rastin SH.N. kemi pyetur edhe drejtuesin e sektorit profesional të ekstradimeve në Departamentin Federal të Çështjeve Policore, z. Erwin Jenni. Pyetjes se a ka mundësi të ekstradohet në Serbi SH.N. kur ai është edhe qytetar i Kosovës, z. Jenni i përgjigjet me ekzistimin e një konvente evropiane mbi ekstradimin, nënshkrues të të cilës janë edhe Zvicra dhe Serbia.

“Serbia, ashtu sikur edhe Zvicra, ka të ratifikuar Konventën Evropiane mbi ekstradimin. Prandaj kjo konventë zbatohet në rastet e ndërsjella të ekstradimit të personave në mes të dy shteteve. Konventa u jep shteteve ratifikuese mundësinë  që, në rastet kur të gjitha kushtet të jenë plotësuar, të kenë të drejtën kontraktuese shtetërore për të kërkuar ekstradimin. Duke u bazuar në këtë konventë, ekstradimi mund të refuzohet nga Zvicra vetëm nëse personi i kërkuar ka shtetësinë zvicerane. Pasja e shtetësisë serbe ose krahas saj, edhe e shtetësisë kosovare, nuk paraqet  bazë për refuzimin e ekstradimit, nga ana zvicerane”, është përgjigjur në mënyrë përgjithësuese drejtuesi i sektorit profesional të ekstradimeve.

Në rrethanat aktuale, kur shumë gjëra ende nuk dihen, pasi që ruhen edhe për interes të hetimeve, familja e SH.N. dhe rrethi miqësor i tij ndjehen me të drejtë të shqetësuar me fatin e djalit, vëllait dhe mikut. Ata, gjithsesi shpresojnë fuqishëm se  SH. nuk do të ekstradohet në Serbi. 

“Nëse drejtësia në Zvicër punon, ai nuk ka pse kthehet në Serbi. Fundja, nëse duhet të kthehet diku, le të kthehet në Kosovë, shtetësinë e të cilës e ka”, thotë në fund Sherifi, vëllai i SH.N.