Mbi 207 mijë banesa në Kosovë figurojnë si të pabanuara dhe të dedikuara për shitje ose qira, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara në Vjetarin Statistikor 2025, përcjell albinfo.ch.
Nga gjithsej 581 mijë e 95 banesa në vend, 207 mijë e 165 janë të pabanuara për këto qëllime. Kjo përbën rreth 35.7 për qind të totalit, apo më shumë se një të tretën e të gjitha banesave në Kosovë.
Sipas të dhënave, 116 mijë e 385 prej tyre ndodhen në zona urbane, ndërsa 90 mijë e 780 në zona rurale.
Sa u përket komunave, Prishtina prin me mbi 31 mijë banesa të pabanuara, e ndjekur nga Prizreni me mbi 18 mijë dhe Ferizaj me mbi 16 mijë. Në Gjilan figurojnë 13 mijë e 577 banesa të tilla, ndërsa në Fushë Kosovë janë 11 mijë e 291.
Vjetari statistikor tregon gjithashtu se, krahasuar me vitin 2011, numri i përgjithshëm i banesave në Kosovë është rritur për më shumë se 168 mijë.
Nga 581 mijë e 95 banesa gjithsej, 356 mijë e 959 shfrytëzohen nga një ose më shumë banorë. Ndërkohë, 590 banesa përdoren nga personeli diplomatik dhe banorë të tjerë që nuk janë përfshirë në regjistrim, ndërsa 16 mijë e 381 përdoren për qëllime dytësore.
Të dhënat e ASK-së përfshijnë edhe numrin e banesave sipas numrit të dhomave. Kategoria më e madhe përbëhet nga banesat me pesë ose më shumë dhoma, gjithsej 126 mijë e 633.
Banesat me tri dhoma janë 88 mijë e 494, ato me katër dhoma 86 mijë e 301, ndërsa në kategorinë e banesave me një dhomë figurojnë 6 mijë e 735./Albinfo.ch