Zvicër

Këto janë aeroportet me më së shumti fluturime në Evropë

Aeroporti i Stambollit vazhdon të kryesojë renditjen evropiane për numrin e fluturimeve tregtare, ndërsa pas tij renditen disa nga aeroportet më të mëdha të kontinentit. Edhe aeroportet e Ballkanit po shënojnë zhvillime interesante në këtë renditje.

Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Aeroporti i Stambollit regjistroi 306.595 fluturime tregtare, duke mbajtur vendin e parë në Evropë, sipas të dhënave të Eurostat, të bazuara në statistikat e Eurocontrol dhe të përpunuara nga Monitor.

Në vendin e dytë renditet aeroporti Charles de Gaulle në Paris me 273.728 fluturime, i ndjekur nga Heathrow në Londër me 271.870 dhe Schiphol në Amsterdam me 271.418 fluturime.

Madrid-Barajas regjistroi 255.607 fluturime, ndërsa pas tij vijnë Frankfurti me 250.150, Barcelona me 211.898, Roma Fiumicino me 185.519, Mynihu me 173.615 dhe Athina me 157.672 fluturime.

Në Ballkanin Perëndimor, aeroporti “Nikola Tesla” i Beogradit regjistroi 50.280 fluturime, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës 44.972.

Tirana ka shënuar një rritje të fortë gjatë viteve të fundit. Krahasuar me periudhën janar-korrik 2022, kur kishte 20.283 fluturime, numri është rritur me rreth 122 për qind. Në renditjen evropiane, Tirana është ngjitur nga rreth vendi i 97-të në vitin 2022 në vendin e 61-të këtë vit.

Në rajon, Aeroporti i Sofjes regjistroi 37.456 fluturime, Selaniku 34.685, Zagrebi 27.571, Spliti 16.535, Shkupi 14.405, Dubrovniku 14.233, Sarajeva 9.978 dhe Podgorica 9.809.

Për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nuk ka të dhëna në databazën e Eurostat të përdorur për këtë përllogaritje.

Të dhënat i referohen numrit të fluturimeve tregtare dhe jo numrit të pasagjerëve.