Kosova

Një tjetër punëtor i KEK-ut ka humbur jetën në vendin e punës

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se edhe një punëtor ka humbur sot jetën në vend të punës, teksa bëhet e ditur se punonjësi gjatë angazhimit në zhvendosjen e disa kabllove, ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda, plagëve të të cilave nuk ka arritur t’iu mbijetoj.

“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, ky është punëtori i tretë i KEK-ut i cili ka humbur jetën nga lëndimet e marra në vendin e punës që nga korriku. Më 16 korrik, KEK-u njoftoi se një punëtor 58-vjeçar ka humbur jetën pas lëndimeve që mori në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj teksa një punëtor tjetër, Haxhi Gjinovci 59-vjeçar, nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve po ashtu të marra në punë, para disa ditësh. Ai ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).