Kosova

Kosova debuton në Kampionatin Evropian Ekipor të Golfit

Për herë të parë në histori, përfaqësuesja e Kosovës po merr pjesë në European Team Shield Championship, që po zhvillohet në Maltë

Kosova ka shënuar një moment historik për sportin e golfit, duke debutuar për herë të parë në Kampionatin Evropian Ekipor të Golfit (European Team Shield Championship – Malta 2026), garë e organizuar nga European Golf Association, transmeton albinfo.ch.

Para nisjes së garave zyrtare, sot janë zhvilluar ushtrimet zyrtare, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës synon të lërë përshtypje në paraqitjen e saj të parë në këtë kompeticion prestigjioz evropian.

Ngjyrat e Kosovës do t’i mbrojnë golfistët Albin Arifi, Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Qëndrim Alija, nën drejtimin e kapitenit Arif Arifi, të cilët do të synojnë të përfaqësojnë sa më denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.

Federata e Golfit të Kosovës ka theksuar se pjesëmarrja në këtë kampionat përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e golfit kosovar, ndërsa mbështetja e Ministrisë së Sportit ka qenë një faktor i rëndësishëm në realizimin e këtij suksesi.

Me këtë debutim, Kosova hap një kapitull të ri në historinë e golfit, duke u bërë pjesë e një prej garave më të rëndësishme ekipore në nivel evropian./Albinfo.ch