Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie të ndjeshme pas uljes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, megjithatë kjo nuk është reflektuar ende në tregun e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, çmimi i naftës ka rënë me më shumë se 9 për qind për fuçi, duke zbritur nga mbi 100 dollarë në rreth 87 dollarë për fuçi. Mediat ndërkombëtare raportojnë se ky është niveli më i ulët i çmimit që nga fillimi i muajit prill.
Ndryshe nga ky trend, në Kosovë çmimet e derivateve mbeten të larta. Sipas çmimeve maksimale të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për 28 korrik, një litër naftë tregtohet deri në 1.73 euro, ndërsa benzina kushton 1.52 euro për litër. Çmimi maksimal i gazit është 0.60 euro për litër.
Çmimi më i lartë i naftës në Kosovë gjatë muajve të fundit u regjistrua më 9 prill, kur një litër shitej deri në 1.91 euro, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Pas arritjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, tregjet ndërkombëtare reaguan me ulje të çmimit të naftës. Megjithatë, zhvillimet e fundit, përfshirë rikthimin e sulmeve dhe mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit – një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës – kanë shtuar sërish pasigurinë në tregjet energjetike, duke ndikuar në luhatjen e çmimeve./Albinfo.ch.