Shqipëria
Pse Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në rajon
Sipas të dhënave në muajin mars, çmimi mesatar i naftës me pakicë në Shqipëri arriti 200-210 lekë për litër apo 2.1-2.2 euro për litër nga 1.8 euro për litër që çmimi ishte para nisjes së luftës
Kriza e çmimeve e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme nxori sërish në pah faktin se Shqipëria ka çmimet më të larta për naftën dhe për disa nga produktet ushqimore në rajon.
Fillimi i konfliktit krijoi pasiguri te furnizimet, pas bllokimit të ngushticës së Hormuzit, duke sjellë që në ditët e para të luftës rritje të çmimit të naftës në bursat e huaja deri në 20%, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.
Shtrenjtimi i naftës së importit u reflektua menjëherë në të gjithë tregun e shitjes me pakicë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por Shqipëria rezultoi me çmimet më të larta.
Sipas të dhënave në muajin mars, çmimi mesatar i naftës me pakicë në Shqipëri arriti 200-210 lekë për litër apo 2.1-2.2 euro për litër nga 1.8 euro për litër që çmimi ishte para nisjes së luftës. Krahasuar me muajin shkurt (periudha para luftës), çmimi i pakicës u rrit me 20%.
Në Bosnjë-Hercegovinë, çmimi i naftës në fund të muajit mars arriti 1.7 euro për litër ndërsa në prill, 1.8 euro për litër, nga 1.19 euro për litër që ishte në muajin shkurt, periudha para nisje së luftës dhe 1.32 euro, mesatarja e marsit. Në Bosnjë-Hercegovinë, çmimi i naftës me pakicë për muajin mars në raport me muajin paraardhës u rrit me rreth 43%.
Pas luftës, çmimi i naftës në Serbi arriti 1.78 euro për litër nga 1.69 euro për litër që ishte për muajin shkurt. Rritja në Serbi me 5%.
Në Malin e Zi, çmimi i naftës në muajin mars arriti 1.78 euro për litër nga 1.34 euro për litër që ishte në muajin shkurt. Rritja me rreth 33%.
Në Maqedoninë e Veriut, çmimi i naftës për muajin mars arriti 1.49 euro për litër nga 1.1 euro për litër që ishte në muajin shkurt. Në Maqedoninë e Veriut rritja është me 35.4%.
Në Kosovë, çmimi arriti 1.84 euro për litër nga 1.17 euro për litër që ishte para nisjes së luftës. Në Kosovë, çmimi i naftës me pakicë u rrit me 57%.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, është e qartë se krahasuar me rajonin, çmimi i naftës në Shqipëri është deri 61 euro cent më i lartë ose rreth 58 lekë për litër më i shtrenjtë.
Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, thotë se arsyeja kryesore e çmimit të lartë lidhet me taksat që paguhen mbi naftën, që aktualisht janë deri 100 lekë për litër, duke përbërë 50% të çmimit.
Aliaj ka theksuar se e vetmja mënyrë që do të zbuste çmimin është ajo përmes uljes së taksave. Shoqata e Hidrokarbureve propozoi rishikimin e taksës së qarkullimit, niveli i të cilës është 27 lekë për litër. Kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga institucionet përgjegjëse.
Edhe eksperti i ekonomisë, Alban Zusi, rekomandoi ndërhyrje me masa të ngjashme fiskale, ashtu siç po ndodh edhe në shtetet e tjera evropiane.
Në mungesë të masave fiskale, qeveria riaktivizoi edhe një herë Bordin e Transparencës për Kontrollin e Çmimeve të Hidrokarbureve.
Kontrolli nga Bordi, fokusohet përmes formulës për llogaritjen e çmimit të naftës, e cila është e paracaktuar me të dhëna fikse, përveç çmimit të Platts/fob me të cilën është blerë nafta e përpunuar në bursë. Ky çmim merret si referencë nga tregjet ndërkombëtarë, për blerjen e naftës në bursë, së një dite më parë. Këtij çmimi i shtohet një premio fikse prej 30 dollarësh për ton, ndërsa më pas konvertohet në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit.
Mbi këtë bazë llogaritjeje shtohen taksat, si akciza që është 39.4 lekë për litër, taksa e qarkullimit që është 27 lekë për litër, taksa e karbonit 3 lekë për litër dhe TVSH 20% e llogaritur mbi çmimin e blerjes + taksat. Më pas çmimit i shtohen kostot e transportit dhe fitimet e kompanive, që për shumicën janë 3 lekë për litër dhe 12 lekë për litër për pakicën.
Importuesit nuk bien dakord vetëm për marzhet e shtuara te shumica dhe pakica. Prej tyre po pretendohet që marzhi i lejuar i fitimit për kompanitë e shumicës të jetë 5 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës të jetë 15 lekë për litër.
Pra, sipas formulës së përcaktuar, Bordi nuk luan rol real në uljen e çmimeve apo aktiv në stabilizimin apo kontrollin e tyre, por më tepër luan një rol kontrollues të një formule kontabiliteti të paracaktuar dhe kontrollin e pretendimit të importuesve për një marzh fitimi 5 lekë më të lartë, duke kursyer rreth 5 lekë për litër, një vlerë fare minimale.
Ndryshe nga Shqipëria disa vende në rajon menjëherë u fokusuan te ulja e taksave.
Në Malin e Zi, qeveria më 20 mars, përdori një dispozitë ligjore për të ulur akcizat me 50% për naftën dhe 25% për benzinën, duke shkurtuar gjithashtu periudhën e rregullimit të çmimeve nga 15 në 7 ditë. Nëse këto akciza nuk do të ishin përgjysmuar, nafta do të ishte 0.25 euro më e shtrenjtë, ndërsa benzina do të kushtonte edhe 0.16 euro më shumë.
Analisti ekonomik Mirza Muleskoviç thekson se ulja e akcizave ishte një veprim i arsyeshëm. Pa këtë masë, sipas tij, çmimet sot do të ishin dukshëm më të larta, duke përkeqësuar ndikimin e goditjeve të jashtme në rritjen e përgjithshme të çmimeve në Mal të Zi.
Në Maqedoninë e Veriut, më 22 mars, Qeveria mori vendimin e parë për ndërhyrje në çmimet e karburanteve. Konkretisht, TVSH u ul nga 18% në 10% dhe u shpall gjendje krize energjetike për të krijuar mundësi ligjore për lirimin e mazutit nga rezervat shtetërore.
Më 5 prill 2026, Qeveria mori një vendim të dytë, që ulja e TVSH-së mbetet në fuqi deri në përfundimin e krizës, ndërsa u ulën edhe akcizat: për naftën me 0.06 euro cent dhe për benzinën me 0.03 euro cent për litër.
Sipas ekonomistëve, ndërhyrja shtetërore në çmimet e karburanteve ishte e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Profesori Vanço Uzunov nga Fakulteti Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, thotë se mburrja e qeverisë me çmimet e ulëta të karburanteve dhe blerësit e huaj sinjalizon probleme likuiditeti në buxhet.
Në Serbi qeveria, si masë të parë, në fund të muajit mars, mori uljen e akcizës te nafta dhe benzina me 20%. Më tej në muajin Prill vendosi ulje të akcizës me 25%, si te nafta dhe benzina, përfshirë zbatimin e masave për kufizimin e eksporteve të derivateve të naftës dhe hedhjen në treg të një pjese të rezervave me qëllim kontrollin administrativ të çmimeve.
Ndryshe nga këto shtete, në Bosnjë dhe Hercegovina, projektligji për ndryshime te akciza e karburanteve është miratuar vetëm nga Dhoma e Përfaqësuesve e Asamblesë Parlamentare të Bosnjë dhe Hercegovinës. Zbatimi ka mbetur pezull.
Ndryshimet e propozuara do të mundësonin që Këshilli i Ministrave i Bosnjë dhe Hercegovinës të autorizohej, në rast të çrregullimeve të tregut ose arsyeve të tjera të justifikuara, të vendosë për një ulje ose heqje të përkohshme të akcizave për një periudhë deri në gjashtë muaj brenda një viti.
Në Kosovë ekspertët e ekonomisë i vlerësojnë modeste masat administrative të qeverisë për kontrollin e çmimeve të naftës. “Këto masa kanë një funksion të qartë: të kufizojnë abuzimin dhe të disiplinonin tregun në kohë pasigurie. Ato nuk mund ta ndalin rritjen e çmimeve që buron nga shtrenjtimi i importeve”, tha drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Brikenë Hoxha.
Përkundër kësaj, ajo renditi rreziqet në rast se politika e çmimeve tavan nuk zbatohet si duhet. “Rreziku kryesor lind kur ndërhyrja bëhet e zgjatur ose e dizajnuar dobët. Nëse çmimi tavan vendoset afër ose nën koston reale, mund të krijohen mungesa produktesh në treg”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, importuesit ankohen se vendosja e marzheve të fitimit po çon drejt falimentit biznesin. “Kjo situatë nuk është normale, pasi ka raste që shesim litrin e naftës me çmimin e importit dhe disa biznese mund të falimentojnë”, ka thënë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, duke paralajmëruar protesta në rast se kjo politikë nuk ndryshohet.
Në këtë situatë, masa më e duhur e rekomanduar nga eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa do të ishte ulja e akcizës dhe TVSH-së te karburantet.
E-Diaspora
-
Diaspora nis peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjen e Murat Jasharit president Inicohet peticion nga diaspora për kandidimin e Murat Jasharit për president... -
Zvicër
Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër -
Paris
Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër -
Lea Ypi zgjidhet anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave -
“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet
Jeta në Austri
-
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e... -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online -
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj












