Bota
Qytetet më të “pabanueshme” në botë
Qytetet e mëdha të Azisë rrezikojnë të ngadalësohen pa më shumë banesa me çmime të arsyeshme, shkruan The Economist
Në të gjithë Azinë, po ndodh një zgjerim i madh. Qytetet në vendet në zhvillim si India, Indonezia dhe Filipinet po fitojnë qindra milionë banorë. Ky urbanizim sapo ka nisur. Në Azinë Jugore, për shembull, vetëm rreth 35% e popullsisë jeton në zona urbane, krahasuar me 80% në Amerikën e Veriut.
Megjithatë, problemet në metropolet e mëdha aziatike po shtohen. Qytete si Delhi, Xhakarta dhe Manila vuajnë nga ndotja e rëndë, trafiku dhe kriminaliteti. Sfida më e madhe është mungesa e banesave të mira dhe të përballueshme. Zgjidhja e kësaj do të përmirësonte jetën e miliona njerëzve. Do të rriste gjithashtu ekonomitë, duke i bërë banorët e qyteteve më produktivë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Azia strehon më shumë se gjysmën e 1.1 miliardë njerëzve që jetojnë në lagje informale, sipas një studimi të Habitat for Humanity, një organizatë joqeveritare me seli në Atlanta.
Banka Aziatike e Zhvillimit vlerëson se më shumë se 40% e popullsisë urbane në Azi jeton në banesa që janë në njëfarë mënyre nën standard (për shembull sepse janë të rrënuara, u mungojnë shërbimet si energjia elektrike dhe uji ose janë të mbipopulluara).
Qeveria e Filipineve mendon se qytetet e saj kanë nevojë për 7 milionë banesa shtesë; Indonezia thuhet se ka mungesë prej 27 milionësh. Në Indi, ku të dhënat janë më të pjesshme, vlerësimet arrijnë deri në 47 milionë.
Mungesa e banesave cilësore shkon paralelisht me çmime të larta për pak njësitë e mira që ekzistojnë. Urban Land Institute, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Hong Kong, vlerëson se apartamentet cilësore në Manila, kryeqyteti i Filipineve, kushtojnë 20 herë më shumë se të ardhurat mesatare të një familjeje.
Kjo është një shumë më e lartë se në Mayfair apo Manhatan dhe katër herë mbi nivelin që instituti e konsideron “të përballueshëm”. Në fakt, ai konstaton se vetëm shtatë nga 51 qytetet më të mëdha të Azisë kanë tregje formale të strehimit që mund të konsiderohen “të përballueshme”, sipas kritereve të tij.
E gjithë kjo po dëmton ekonomitë aziatike. Së pari, kushtet e këqija të jetesës mund të dekurajojnë banorët e zonave rurale, të cilët mund të gjenin punë më produktive në qytete, që të fillojnë një jetë të re atje.
Një studim në Indi në vitin 2020 zbuloi se banorët e fshatrave në Bihar, një shtet i varfër në verilindje, parapëlqenin të fitonin 35% më pak në vendlindje sesa të përballeshin me kushtet e vështira në qytete.
Banesa më të lira dhe më të sigurta do të sillnin gjithashtu përfitime më të drejtpërdrejta ekonomike. Strehimi cilësor redukton kohën e humbur nga sëmundjet. Ai u jep njerëzve hapësirë për të ushtruar një aktivitet ekonomik nga shtëpia.
Siguria e qëndrimit dhe hapësira për të studiuar e bëjnë më të lehtë që fëmijët të regjistrohen në shkollë dhe të vazhdojnë shkollimin.
Një studim global nga Habitat for Humanity tregon se zëvendësimi i banesave në lagjet informale me shtëpi më të mira lidhet me një rritje 4% të jetëgjatësisë, një rritje 28% të pjesëmarrjes në shkollë dhe një rritje të prodhimit të brendshëm bruto lokal deri në 10%.
Ndryshimet klimatike e rrisin edhe më shumë rëndësinë e kësaj çështjeje. Ata që jetojnë në banesa të pasigurta do të preken më shumë nga goditje si valët e të nxehtit.
Në çdo qytet me rritje të shpejtë, një shkallë e caktuar e varfërisë urbane është e pashmangshme. “Çdo qytet, qoftë Parisi apo Nju Jorku, kalon në një fazë adoleshence, ku rritja është kaotike, burimet janë të tendosura dhe gjithçka mbingarkohet”, thotë David Smith nga Affordable Housing Institute, një kompani konsulence në Boston.
Por me politika më të mira, autoritetet aziatike mund ta shkurtojnë këtë fazë të dhimbshme dhe të zbusin disa nga kostot e saj.
Në qytetet aziatike, rregulloret mbi përdorimin e tokës shpesh e bëjnë të vështirë ndërtimin e banesave të përballueshme në shkallë të gjerë. Rregullat që kufizojnë lartësinë e ndërtesave ose ndalojnë ndërtimet rezidenciale në zonat tregtare synojnë të parandalojnë mbipopullimin.
Por shpesh kanë efektin e kundërt, duke i shtyrë njerëzit drejt lagjeve informale. Kur në vitin 2018, Mumbai lejoi ndërtimin e ndërtesave më të larta, oferta e banesave në zonat e prekura u rrit me 58% dhe çmimet e njësive të reja ranë me 24%, sipas një studimi të ri nga Sahil Gandhi i Universitetit të Mançesterit dhe Geetika Nagpal e Bankës Botërore.
E-Diaspora
-
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare Blenard Azizaj bashkë me Marina Abramović në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor... -
Baleti Kombëtar i Kosovës me turne në Amerikën Latine, ndalet në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje në Shqipëri -
Kosovë
Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën -
Suedi
Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit











