Zhvillim

Ja si e shihte “Der Spiegel” në vitin 1982 Shqipërinë e izoluar

Hekurudha shqiptare duhet përfundimisht të lidhet me rrjetin evropian të hekurudhave – një plan i kamotshëm por që deri tash gjithmonë dështoi

 

Hekurudha shqiptare duhet përfundimisht të lidhet me rrjetin evropian të hekurudhave – një plan i kamotshëm por që deri tash gjithmonë dështoi.

Tri linja hekurudhore ndërtuan të rinjtë shqiptarë që nga paslufta e deri tash përmes aksioneve punuese. Viktimat e aksioneve të tilla partia i madhëron si shembull të përmbushjes së detyrës.

300 kilometra binarë janë ngritur në këtë mënyrë. Të gjitha linjat përfundojnë në qytetin e portit të Durrësit. Asnjëra s‘kalon kufijtë e vendit. Shqipëria mbetet i vetmi vend i kontinentit që s’mund të arrihet përmes hekurudhës. Kjo duhet të ndryshojë. Pas përvojave të këqija me aleatin e fuqishëm BRSS-në dhe pastaj edhe me aleatin e largët Kinën,shteti i izoluar shqiptar po kërkon lidhje me Evropën.

A do të qarkullojë treni për në Malin e Zi më 1984?

Njëra nga linjat e saj hekurudhore shkon deri përtej Shkodrës në liqenin gjysmë shqiptar – gjysmë jugosllav, Liqenin e Shkodrës. 25 kilometra më tej gjendet lidhja për në një linje hekurudhore jugosllave përmes Malit të Zi. Kjo zbrazësi 25 kilometërshe duhet të mbyllet deri në fund të vitit të ardhshëm, sipas një protokolli të të dyja vendeve të nënshkruar tash në Tiranë. Atëherë, të paktën teorikisht, një shqiptar do të mund të udhëtonte në mënyrë imagjinare edhe deri në Lisabon, Wladiwostok apo Hongkong qoftë edhe me ndërrime trenash – trenat malazez njësoj si edhe ata shqiptarë qarkullojnë nëpër shtigje të ngushta. Padyshim se lidhja është menduar më shumë për mallra sesa për njerëz: për xehe nga Shqipëria dhe për mallra nga Jugosllavia.

Veç kësaj, është ende e paqartë se a do të ndodhë fare qarkullimi i trenit të parë mes Titogradit dhe Shkodrës në fillim të vitit 1984 apo jo: deri tash ka ndodhur gjithmonë diç kur Shqipëria ka dashur të kyçet në rrjetin evropian të hekurudhave.

Mashtrimi gjonturk

Ëndrra e një lidhjeje ndërkombëtare hekurudhore daton që nga fillimet e lëvizjses shqiptare për pavarësi para 100 vitesh. Biri i vendit, Sami Frashëri, një djalë i një feudali të kamur, i premtoi vendit të tij mirëqenie dhe civilizim, në rast se ndërtojnë një hekurudhë të vetme. Për këtë ishte e interesuar edhe Austria me synime për të depërtuar në Ballkan. Por, kur inxhinierët perandorak filluan matjet në territorin shqiptar të Kosovës, 20‘000 fshatarë shqiptarë u hodhën me armë në dorë kundër tyre.

Oficerët e rinj turq kishin përhapur fjalë se sulltani i tyre kishte bërë marrëveshje me perandorin në Vjenë t’ua marrë tokat pa kompensim fshatarëve shqiptarë. Me këtë turqit e rinj synonin të bënin trysni mbi sovranin e tyre. Nga frika e përhapjes së kryengritjes në tërë Perandorinë Osmane, sulltani ua njohu rebelëve të drejtën e ndryshimit të kushtetutës – fitorja e parë e lëvizjes së turqve të rinj.

Konsulli austriak në Mitrovicë e shihte ndryshe gjendjen: në raportin drejtuar ministrit të tij të jashtëm, Freiher Lexa von Aehrenthal, ai shkaktarë të dështimit të ndërtimit të hekurudhës i shihte agjentët serbë. Gjashtë vite më vonë, e nxitur nga agjentët serbë, filloi edhe Lufta e Parë Botërore.

Ëndrra e lidhjes me botën dhe frika e humbjes së pavarësisë

Shqiptarët u lidhen me botën – me Orientin- me një linjë hekurudhore përmes territoreve shqiptare të Kosovës dhe Shkupit të Maqedonisë për në Selanik. Ajo u shërbente turqve për të dërguar ekspedita ndëshkuese për në vendin e shqiptarëve. Në luftën për këtë linjë u ngrit për herë të parë edhe flamuri kuqezi i pavarësisë shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Kështu ëndrra e lidhjes hekurudhore ishte njëkohësisht e edhe frika e humbjes së pavarësisë përmes saj.

Kur Shqipëria u bë pavarur më 1913, mbi gjysma e territorit shqiptar, në radhë të parë territori i Kosovës, në të cilin sot ende mbështetet Serbia, dhe nëpër të cilin kalon edhe e vetmja hekurudhë për në botë, mbeti jashtë shtetit të ri. Importet në vendin e pashkelur shqiptar, në radhë të parë drithërat, bile edhe një princ i gjakut gjerman, Princi Wilhelm zu Wied, erdhën rrugës detare.

Italianët, në vend të hekurudhës bënë shpime për naftë!

Fqinji, Serbia, dëshironte një linjë hekurudhore nëpër pjesën veriore të vendit për ta përfshirë kështu në gjirin e saj edhe këtë pjesë të Shqipërisë. Për këtë arsye shqiptarët e panë më të udhës që këtë të drejtë t’ua njohin italianëve. Më 1925 udhëheqësi shqiptar, Ahmet Zogu, ia dha këtë si koncesionin kompanisë hekurudhore italiane „Ferrovie dello Stato Italiano“, e cila në vend të binarëve, në territorin e saj të dhënë me koncesion filloi me shpimet për kërkim nafte.

Italianët ndërtuan rrugë në Portin e Durrësit, përmes të cilit Shqipëria zhvillonte tregtinë e saj të jashtme, por pothuajse vetëm me Italinë. Kështu përgatitej aneksimi i Shqipërisë nga Italia. Kur Musolini nga Shqipëria sulmoi Greqinë, por ra në defansivë të dëshpërueshme, ai në prill të vitit 1941 tërhoqi edhe Hitlerin në luftën e Ballkanit (gjë e cila, sipas deklaratave të Hitlerit, e vonoi sulmin kundër BRSS-së deri në dimër). Në përfundim të luftës, ushtarët gjermanë në mungesë të linjës hekurudhore u detyruan që me pajisje verore të iknin maleve shqiptare të mbuluara me borë, ku priteshin nga partizanët e Titos.

Njerëzit e rrethit të Titos filluan menjëherë të mendonin në realizimin e një ëndrre të vjetër serbe: të bërit jo vetëm të veriut të Shqipërisë, por edhe të tërë Shqipërisë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Në këtë synim i mbështeste edhe Stalini: një vijë hekurudhore përmes Shqipërisë si pjesë e Jugosllavisë do t’i hapte atij dalje në Detin Mesdhe.

Edhe jugosllavët synonin pasuritë nëntokësore të Shqipërisë

Ashtu si edhe italianët, edhe jugosllavët së pari i vunë në dorë pasuritë nëntokësore të Shqipërisë. Sipas modelit sovjetik u krijuan shoqata të përziera aksionare shqiptaro-jugosllave, kushtetuta shqiptare u bë e ngjashme me kushtetutën staliniste jugosllave, bile (kështu deri edhe sot) u përngjasuan edhe targat e automjeteve të të dy shteteve.

Unionin monetar, që zëvendësoi lekun shqiptar me dinarin jugosllav, e pasoi edhe unioni doganor. Nako Spiru, shefi i planifikimit shqiptar, bëri vetëvrasje pasi që ishin shkrirë edhe planet ekonomike të të dyja vendeve. Shefi i armatës, Mehmet Shehu, u fut në arrest shtëpiak për shkak se nuk deshi t’i bindej komandës së Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë.

Përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi do të duhej të kurorëzohej me ndërtimin e një linje hekurudhore, që do ta lidhte Serbinë me Portin e Durrësit. Por, konflikti i Titos me Stalinin më 1948 i dha fund çdo bashkëngjitjeje të Shqipërisë Jugosllavisë dhe me këtë morën fund edhe planet për ndërtimin e hekurudhës, me çka Shqipëria u izolua plotësisht në lidhjet e saj rrugore me Jugosllavinë. Për këtë Stalinit iu deshën rrugët detare për t’i furnizuar me drithëra shqiptarët e uritur.

Tek në mesin e viteve të 60-a u hapën sërish rrugët e Jugosllavisë për shqiptarët. Beogradi u bë me kalimin e kohës partner i rëndësishëm i Tiranës. Deri pak para kufirit linjat hekurudhore i ngritën nxënësit dhe studentët shqiptarë. Qeveria e tyre i bleu lokomotivat. Ato u desh të zbarkojnë në portin e Rijekës për t’u bartur më tej me anije për në Shqipëri.

Prishja me kinezët

Kinezët, të cilët shqiptarët i sollën në vend në vend të sovjetikëve, e nxitën shefin e shqiptarëve, Hoxhën, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Jugosllavinë deri në një union ushtarak që do të përfshinte edhe Rumaninë dhe Jugosllavinë, si forcë kryesore, dhe me një linjë hekurudhore si bosht. Shqipëria do të duhej që të hiqte dorë nga armatimi saj i rëndë ushtarak. Hoxha e refuzoi këtë dhe ua hoqi të drejtën kinezëve financiarisht të dobët të kujdeseshin edhe më tej për pavarësinë e vendit të tij.

Punimet në hekurudhë u ndërprenë pasi që Jugosllavia ndërtoi një hekurudhë krejtësisht tjetër që lidhte Beogradin me portin detar malazez Tivarin, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Linja lidhte me rrugë një kombinat metalurgjik prestigjioz. Kjo rrugë hekurudhore ishte plotësisht jorentabile derisa Jurij Brezhnjev, zëvendësministri për Tregti të Jashtme i Moskës dhe djali i shefit të partisë, ofroi planin e përdorimit të linjës për bartjen e mallrave të Bllokut Lindor nëpër Serbi. Që nga ajo kohë ekziston linja hekurudhore pjesërisht e elektrifikuar nga BRSS-ja nëpër Hungari përmes Serbisë deri në Detin Adriatik, ku shpeshherë ankorohen anijet luftarake ruse, bile edhe për riparime!

Beogradi bën përgjegjëse Tiranën për `81-tën në Kosovë

Një vit pas vdekjes së Titos ndodhën trazirat e rënda në territorin shqiptar të Kosovës, për të cilën gjë Beogradi e bënte përgjegjëse Tiranën. Por jo kudo në Jugosllavi ishin të mendimit se është e drejtë që Shqipëria të futej në izolim dhe me këtë të çohej sërish nën sqetullën sovjetik për të cilën gjë magazina javore beogradase „Nin“ kishte treguar shenjat e para. Nën titullin „Mbrojtja përmes izolimit“ magazina botoi tri udhëzime që flisnin se “udhëheqja shqiptare po e bën përzgjedhjen e shoqërisë sipas nevojave“:

„Shqipëria, e cila doli para 20 vitesh nga Këshilli për ndihmë reciproke (Comecon), gëzon edhe më tej të gjitha privilegjet monetare dhe doganore, të cilat i kanë vetëm anëtarët e „këtij grupimi socialimperialist dhe revizionist “ dhe i pranon me dëshirë ato“.

„Shqipëria njeh vlefshmërinë e marrëveshjes së bashkëpunimit me Bullgarinë“.

„Në mesin e shumë pak mysafirëve të Kongresit të Partisë së Punës, përfaqësuesi i Partisë Komuniste të Vietnamit pati trajtim të privilegjuar. Është e vetëkuptueshme se Tirana i njeh mirë marrëdhëniet shumë të ngushta të Vietnamit me Bashkimin Sovjetik“.

Komunisti i vjetër kroat, Bakaric, përkundër qëndrimeve serbe, apelonte për “ndërtim urash” me Shqipërinë. Kështu u realizuar edhe protokolli i lidhjes hekurudhore.

Në territorin shqiptar të Kosovës shqiptarët e shtypur po luftojnë ende kundër serbëve dhe hekurudhës jugosllave në vend: kryengritësit demoluan pajisjet e sigurisë dhe e sulmuan me shufra hekuri trenin e natës për në Shkup . Lokomotivistët e shokuar u desh të dërgohen në spital.

(Der Spiegel, 26.4.1982)

Përkthimi për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri