Kosova
Historia e një zviceraneje në Kosovë
Erika Masina ose një udhëtim që bashkon edukimin, gjuhën dhe mikpritjen shqiptare
Erika Masinën e takova rastësisht në restorantin e një treni të mbushur plot, që udhëtonte nga St. Galleni drejt Lozanës. Ishte një përplasje gjuhësh ajo që na afroi. Fillimisht folëm në gjermanisht, kur e pyeta nëse vendi përballë ishte i lirë: “Ist das noch frei?”. Pak më vonë, porositëm kafenë në anglisht: “I’ll just have an espresso, please”. Dhe papritur e dëgjova Erikën që, me shumë habi, më tha: “A shqiptare je, a?”, me atë aksentin e lezetshëm prizrenas që të mbetet në vesh.
Unë, pothuajse e bindur se ajo ishte zvicerane dhe e vetëdijshme se fakti që nuk thashë “Isch do no frei?” në dialektin vendas më kishte zbuluar si të ‘huaj‘, iu përgjigja me të njëjtën habi: “A flet shqip, a?”. Ajo qeshi dhe, me një humor të ngrohtë, shtoi: “Ehh pooo, unë jam shqiptare”. Qeshëm të dyja si dy udhëtare që gjejnë ngrohtësi në fraza të përbashkëta gjuhësore dhe në rastësinë e një bisede shoqërore po lindte brenda një treni të qetë zviceran. Sa çudi!
Biseda nisi aty dhe s’u ndal deri sa arritëm në stacionet tona. Erika nisi të më tregonte për jetën e saj; përvojat si një zvicerane që kishte gjetur një shtëpi të dytë në Kosovë, një vend të cilin e kishte vizituar për herë të parë në vitin 2006, gjatë një udhëtimi pune.
Nga një ide në Zvicër, drejt një misioni në Kosovë
Por lidhja e saj me shqiptarët kishte nisur edhe përpara udhëtimit të parë në Kosovë. Erika ishte iniciatore e projektit “Gjermanishtja për nëna dhe fëmijë” (Deutsch für Mutter und Kind), në Zvicër, ku pati rastin të njihte shumë familje shqiptare emigrante. “Shqiptaret më lanë përshtypje të veçantë,”thotë ajo. “Nuk ishin si grupet e tjera imigrante që kisha njohur; nuk përputheshin plotësisht me ndonjë kategori… as ortodokse të ngurta, as myslimane të mbyllura. Kishin diçka që të tërhiqte, sikur ruanin një sekret brenda tyre. Kjo ndjenjë më ngjalli kureshtje dhe më bëri të udhëtoj në Kosovë, për të mësuar më shumë mbi kulturën e tyre”.
Pas vizitës së saj të parë, gjatë së cilës qëndroi gjashtë muaj në Kosovë, rrugët profesionale e çuan më pas në Maqedoni. Më vonë, ajo u kontraktua nga Caritas-i si trajnuese për edukatoret e çerdheve, me një angazhim të ndarë: gjysmën e kohës në Kosovë dhe pjesën tjetër në Bühler, në kantonin Appenzell Ausserrhoden. Për njëmbëdhjetë vitet e ardhshme, ajo ndau jetën mes këtyre dy botëve, duke kaluar një muaj në Kosovë dhe një muaj në Zvicër, herë me pite e fli, herë me fondue e raclette. Një ritëm i dyfishtë dhe një bashkim kulturash që ajo e reflekton me shumë sharm edhe sot.
Një filozofi që ndryshon rrënjët e arsimit: Të mësuarit përmes lojës
Që në fillim, qëllimi i saj ishte i qartë: të përmirësonte cilësinë e mësimdhënies në arsimin parashkollor dhe të sillte në Kosovë metoda bashkëkohore të mësimdhënies. Përmes pajisjeve moderne dhe krijimit të hapësirave më nxitëse për fëmijët, ajo promovoi filozofinë e të mësuarit përmes lojës, një qasje ku mësimi rrjedh natyrshëm. Kjo metodë mbështetet gjerësisht nga psikologët dhe edukatorët, ndër ta edhe Lev S. Vygotsky, i cili që në vitet 1930 theksonte se lloja është aktiviteti kryesor që nxit zhvillimin kognitiv dhe shoqëror të fëmijëve. [1]
Si pjesë e përpjekjes për të lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme në shkollat shqipe, Erika botoi librin Kopshti si institucion arsimor: Të mësuarit përmes lojës, në bashkëpunim me Sonja Sarbach dhe me mbështetjen e Caritas Schweiz.
Por lidhja e saj me Kosovën nuk përfundoi me mbylljen e projektit. Përkundrazi, pas shumë viteve angazhimi, ajo vazhdoi të kontribuojë si konsulente dhe trajnuese në projekte të ndryshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Sot, në moshën 73-vjeçare, ajo mbetet një zë i njohur dhe i respektuar në fushën e edukimit të hershëm. Njëkohësisht, si ambasadore e vlerave shqiptare, ajo organizon shpesh udhëtime studimore për studentë zviceranë, me synimin që t’u tregojë një realitet të ndryshëm, një vend të vogël me zemër të madhe. Ajo Kosovën e sheh si një hapësirë arratisjeje nga përditshmëria e Zvicrës, një vend ku gjen frymëzim, ku vallëzon dhe mbushet me energji nga ngrohtësia e komunitetit.
Rrugëtimi i saj me gjuhën shqipe
Erika zgjedh të komunikojë në gjuhën shqipe sa herë që ndodhet në Kosovë. Si linguiste, mbetem e impresionuar dhe nuk mund të mos admiroj përkushtimin e saj për ta bërë gjuhën pjesë të jetës së përditshme. Shqipja është një gjuhë me një sistem morfologjik të pasur dhe kompleks, që i përket një dege të veçantë të familjes indo-europiane [2]. Ajo nuk ka ngjashmëri të drejtpërdrejtë as me gjermanishten, as me anglishten apo frëngjishten, çka e bën më të vështirë përvetësimin e saj, sidomos në fushën e leksikut, ku huazimet janë të kufizuara dhe struktura është krejt origjinale. Për dikë që nuk është rritur e rrethuar nga kjo gjuhë, ky proces shpesh është pengesë e madhe. Megjithatë, Erika ia doli.
Ajo rrëfen: “Menjëherë pas luftës ishte e domosdoshme të përktheja të gjitha materialet e mia në gjuhën angleze. Më pas e pyeta veten pse lodhem duke përkthyer në anglisht, kur kjo nuk është gjuha e popullit, e ka njerëz këtu, sidomos të moshuar, që as anglishten nuk e dinë mirë. Madje, as mua nuk më vjen natyrshëm. A nuk do të kishte më shumë logjikë të mësoja shqipen? Nuk isha aq e re sa për të filluar nga zero, prandaj hezitova pak, por me kohë vendosa ta mësoj dhe kështu bëra çdo mbrëmje. Nuk kishte kurse për shqip, ndaj mësova së bashku me komunitetin”.
Me kalimin e viteve, sfida vetëm sa është thelluar. Ndërsa u mësonte mësueseve si të largoheshin nga mësimi mekanik përmendësh dhe të përqafonin metoda që zhvillojnë inteligjencën emocionale dhe mendimin logjik, asaj vetë i është dashur ta përvetësojë materialin e saj në gjuhën shqipe me përpikëri, si një poezi që duhet recituar me qartësi dhe bindje.
Ajo flet për të mësuarit si një rrugë dykahëshe, nga e cila ka përfituar shumë edhe vetë. “Sa shumë gëzoheshin njerëzit kur më dëgjonin duke folur shqip! Reagimet e tyre më kanë motivuar jashtëzakonisht. ‘Top motiviert!’,” shton ajo, për të theksuar edhe më shumë ndikimin që pati kjo përvojë tek ajo. “Në këtë proces, po mësoja jo vetëm gjuhën, por edhe procesin e të mësuarit. Fillova të dëgjoja radion në shqip dhe ta praktikoja çdo ditë me shoqëri të ndryshme”.
Njëkohësisht, edhe stafi i shkollave që ajo trajnonte ishte vetë `nxënës i mirë`. “Më sillte aq kënaqësi t’i shihja sa të angazhuar ishin dhe sa shpejt përthithnin njohuritë e reja. Ata e vlerësonin sinqerisht procesin e trajnimit dhe merrnin pjesë me shumë dëshirë, gjë që e bëri përvojën time në Kosovë ndër më të bukurat. Përveç disa ‘problemeve me drejtorët e shkollave’,” shton ajo me humor.
Kosova, shtëpia e dytë
Erika rrëfen se njerëzit që njohu në Kosovë zënë një vend të veçantë në kujtimet e saj. “Më kanë thirrë Mësuese Erika… ah, sa përjetime kam, që s’mund t’i gjej në Zvicër.” Me dëshirën për të qenë pranë njerëzve, ajo kishte refuzuar të qëndronte në hotelin e ofruar nga Caritas dhe kishte zgjedhur, ashtu si shumë prej nesh që jemi rritur në Kosovë, të përjetonte jetën me qira dhe të gjitha sfidat e saj të përditshme.
Pastaj hesht për pak, sikur të rikthehet në ato çaste, dhe vazhdon t’i ndajë kujtimet e saj: “Unë nuk doja të isha mysafire hoteli, por pjesë e Kosovës. Doja të jetoja si ju dhe të flisja si ju. Për këtë arsye Kosova u bë shtëpia ime e dytë. Kushtet ishin të vështira: ndonjëherë kishte rrymë, ndonjëherë jo; ndonjëherë ma vidhnin edhe gjeneratorin, e shpesh ngrohesha me dru. Ndonjëherë më ngrinte edhe uji, e shkoja te ndonjë restorant ose te familjet që i doja… si familja Kastrati, derisa ‘rregulloheshin kushtet’. Këtë ‘Abenteuer’ e kam dashur shumë”.
Pak çaste para se të mbërrinte në stacionin e saj dhe të përshëndetet, ajo shton: “Kosova ma ka prek zemrën. Falënderimet, vlerësimi dhe dashuria që mora atje janë të rralla në shtetet e tjera. Shumë cilësi që tek ne janë zbehur, i gjeta aty. Ata janë aq të sinqertë e të hapur, ndërsa ne, në krahasim, dukemi shumë më të introvertuar. Përjetimet prej andej dhe mesazhet që më vijnë ende sot si: ‘Na kemi shumë mall për ty, ti na mungon, të duam…,’ janë fjalë që ma mbushin zemrën dhe që do t’i mbaj me vete gjithë jetën. Mezi pres të kthehem.”
[1] https://www.hup.harvard.edu/books/9780674576292
https://files.eric.ed.gov/fulltext/EJ1070266.pdf
[2] https://lrc.la.utexas.edu/eieol/albol
E-Diaspora
-
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg... -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë Tregjet e Krishtlindjeve në Schönbrunn, Floridsdorf dhe Favoriten janë hapur tashmë. Sot, hapet edhe tregu i Krishtlindjeve... -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025












