Kosova

Çka tha dje Osmani për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

“Informacionet i morëm në maj”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim që e ka bërë edhe në Uashington ditë më parë, e ka bazuar në informatat e vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka thënë se është habitur kur ka dëgjuar raportime se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të informuar më parë për rreziqet nga Serbia, meqë, sipas saj, “kjo çështje është trajtuar në dhjetëra deklarata të Presidencës së Kosovës” dhe që për rrezikun e majit ka folur edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë përmes një postimi në X, se presidentja Osmani “nuk ka thënë asgjë me kuptim, përveç sulmeve tjera ndaj Beogradit”.

Kur është pyetur për akuzat e Richard Grenellit, të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, se Osmani po manipulon me deklaratat e Trumpit, presidentja ka thënë se ajo vetëm e ka falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë, në përgjithësi, dhe në rajonin e Ballkanit, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

“Unë jam përgjigjur në pyetje dhe i ftoj vetë qytetarët e Kosovës që t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat unë jam pyetur. Ndër të tjera është deklarata e datës 25 qershor 2025, mund t’i dëgjoni vetë. Thuhet se ‘në javën e fundit u kujdesëm për Indinë e Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë’”, ka deklaruar Osmani duke cituar deklarimet e Trumpit në javët e fundit.

“Nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por kam treguar se si i kam kuptuar unë si presidente e Republikës së Kosovës. Nëse qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është ndryshe, besoj që mund t’iu drejtoheni, mirëpo ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqebërës ditë e natë për paqe në botë. E vlerësojmë jashtëzakonisht këtë kontribut. Nuk dua të deklaroj si e kanë komentuar tjerët deklaratën time”.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Më 25 qershor, Trump tha se “gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për medianë samitin e NATO-s në Hagë.

Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”

Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se “për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu”.

“Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: ‘Do të hyjmë sërish në luftë’. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë”.

Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Përmes një postimi në X, më 13 korrik, Grenell ka thënë se “Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale”.

“Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X.

Në nëntor të vitit 2019, Grenell ishte emëruar nga Trump si i dërguari i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ai ka qenë i përfshirë nga afër në këtë proces.

Në mandatin e parë të Trumpit, më saktësisht më 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike – e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit – e cila nuk është zbatuar kurrë në tërësi.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.

Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës ka kulmuar në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – e ka sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe ka vrarë një rreshter policie.

Kosova e ka përshkruar sulmin si terrorist dhe e ka akuzuar Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e ka mohuar.

E para e vendit foli edhe për bllokadën e Kuvendit. Ajo tha se nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka institucione, apo ndonjë marrëveshje deri në fund të javës, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka institucione, nuk ka ndonjë marrëveshje që mund të rezultojë me institucione të konstituuara, atëherë në fillim të javës  ne i drejtohemi Kushtetueses”, deklaroi ajo.

Tutje, ajo ka theksuar se nuk i takon presidentit/es që të negociojë për arritjen e koalicioneve mes partive.