Kosova
BE: Serbët e Kosovës të shprehin qëndrimin në kutitë e votimit
Lista Serbe, thirrje për bojkot
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Po ashtu, përmes një përgjigje dërguar mediave, blloku evropian ka shprehur keqardhje edhe për thirrjen që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Blloku evropian tha se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”, tha BE-ja.
BE-ja tha po ashtu se që kur serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit 2022, blloku evropian me partnerët e tij është angazhuar që serbët e Kosovës të kthehen në institucione.
“Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës”, u tha në reagim.
Më 7 prill, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit, kur banorët në katër komunat në veri duhet të votojnë nëse duan apo jo të shkarkojnë kryetarët shqiptarë, që u zgjodhën vitin e kaluar, në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët.
Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Blloku evropian po ashtu tha se është për keqardhje thirrja e Listës Serbe që serbët në Kosovë të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, që ka nisur më 5 prill dhe do të përfundojë më 17 maj.
“Sigurimi i të dhënave më të reja për popullsinë ka rëndësi të veçantë, pasi nuk është vetëm për të siguruar shpërndarjen e drejtë të mjeteve për komunat, por edhe për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike, planifikimet për shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda popullatës”, tha BE-ja.
Blloku evropian tha se inkurajon qytetarët që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ndërkaq u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të intensifikojnë fushatat informuese për të gjithë banorët, në mënyrë që të gjithë të kenë informacione të mjaftueshme për këtë proces.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.
E-Diaspora
-
Dua Lipa përzgjedh librin “Free” të Lea Ypit për klubin e saj të leximit Artistja me famë botërore promovon veprën e shkrimtares shqiptare, duke sjellë në vëmendjen ndërkombëtare historinë e... -
Një destinacion që quhet Kosovë! -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve










