Lajme
Haradinaj Diasporës: Duajeni atdheun
Kryeministri i Kosovës, ka takuar një numër të madh të bashkatdhetarëve në Vjenë të Austrisë. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi se diaspora shqiptare mund të mos e dojë ndonjë politikan, por duhet ta dojë atdheun, raporton albinfo.ch nga Vjena.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka filluar vizitën zyrtare në Austri ku do të marr pjesë në Forumin Ekonomik në Vjenë dhe do të këtë takime bilaterale. Megjithatë, ai gjatë ditës së diel gjeti kohë të takoj një numër të madh bashkatdhetarësh nga Austria.
“Jam i nderuar që po takohem me ju, këtu në Austri, me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të gjitha trevave. Sa herë që kemi pas punë dhe detyra, ju kemi pas në krah si vend dhe si atdhe”, tha Haradinaj në fjalën e tij, ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Kosovës në Austri, Sami Ukelli.
Në takimin me mërgatën shqiptare, e cila përfaqësohej nga shoqatat shqiptare të Austrisë, biznesmenë, mësues, mjekë, arkitektë, sportistë e personalitete të tjera, Haradinaj tha se edhe sot e ndjejmë dhe jemi bashkë për ato që janë punë të atdheut.
“Jetojmë një jetë plurale, jetë të partive, të ideve dhe të vizioneve të ndryshme, por një gjë nuk ndryshon gjuha dhe gjaku ynë dhe ajo prej nga vijmë, jemi ata që jemi. Jemi krenarë me veten, jemi popull që vetes dhe kontinentit e botës nuk i kemi sjellë të këqija”, tha Haradinaj, duke shtuar se Austria historikisht i ka qëndruar në krah Kosovës, mbështetje kjo që neve na ka ndihmuar me mbet në të drejtën tonë.
“Vendi nga keni ardhur nuk ndryshojnë, ju mund të mos e doni njërin apo tjetrin politikan, por atdheun tuaj duhet ta doni”, ishte thirrja e kryeministrit për bashkatdhetarët në Austri.
“Por, një gjë ju siguroj se punët e Kosovës kemi me i kryer. Ato punë janë të shumta, kemi me e përmbyllë arkitekturën e sigurisë, të mos e lëmë Kosovën pa krejt çka i duhet me qenë e sigurt, Polici, AKI, Inteligjencë, Gjyqësor efikas, Ushtri, Zjarrfikësit, Doganat, pra e gjithë korniza e sigurisë, që Kosova me funksionu si shtet”, ka thënë ai.
Më tej, Haradinaj i ka vlerësuar nismat nga diaspora duke thënë se ato do të kontribuojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve tanë duke premtuar angazhimin dhe zotimin e tij që kërkesat e diasporës të marrin vëmendjen e duhur të Qeverisë së Kosovës.
Pas fjalës së tij, kryeministri ka bashkëbiseduar me bashkatdhetarët, duke u përgjigjur në shumë pyetje.
Hapja e një qendre kulturore të Kosovës në Vjenë, hapja e një kanali televiziv dedikuar mërgatës shqiptare, shtimi i numrit të nxënësve për mësimin plotësues shqip në Austri, lehtësira të tjera burokratike, ishin disa nga kërkesat që kishin mërgata shqiptare, për të cilat kryeministri tha se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që të ofrojë ndihmën e nevojshme.
Takimi i Haradinajt me diasporën shqiptare në Austri u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në këtë shtet, ku po zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Vjenës dhe ku Kosova po përfaqësohet nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
E-Diaspora
-
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës KQZ: Procesi i regjistrimit për votuesit në diasporë vazhdon deri më 17 maj 2026, me mijëra... -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten














