Lajme
Intervista me Hashim Thaçin në emisionin e famshëm zviceran
Këtë të diel Hashim Thaçi ishte mysafir i emisionit të famshëm të radio televizionit zviceran “Pardonnez – moi (RTS)”, të drejtuar nga Darius Rochebin. Kryeministri i Kosovës bisedoi për lidhjen mes Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, duke përfshirë edhe fatin e 200.000 kosovarëve që jetojnë në Zvicër dhe integrimin e tyre. Ai gjithashtu u shpreh rreth akuzave për trafikim të organeve të denoncuar nga Dick Marty.
Në hyrje, Darius Rochebin rikujtoi se Kosova ishte një ndër vendet me migrim më të madh drejt Zvicrës. Ai nënvizoi faktin se shteti zviceran kishte bërë shumë për pavarësinë e Kosovës dhe që mund të shtrohej pyetja për nivelin e mirënjohjes së vendësve për këtë. Natyrisht, sikur se dhe telespektatorët e shumtë me origjinë shqiptare që përcillnin me shumë kureshtje këtë paraqitje, Kryeministri i Kosovës shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar ndaj popullsisë dhe shtetit zviceran. Ai rikujtoi se Zvicra kishte mbështetur popullatën shqiptare në momentet më të vështira të historisë së saj, duke i dhuruar asaj mikpritje dhe strehim.
Z. Rochebin përmendi gjithashtu zonjën Micheline Calmy-Rey, e cila gëzon një vend të veçantë në zemrat e kosovarëve, sikurse edhe Bill Clinton. Me plot bindje Kryeministri shprehu respektin e tij dhe të popullit shqiptar për zonjën Calmy-Rey, e cila shpreson që së shpejti të bëjë një vizitë në Kosovë.
Gjatë intervistës së mbajtur nga Darius Rochebin, Kryeministri i Kosovës shpalosi çështjet e integrimit, apo, siç tha Zoti Rochebin, mosintegrimit. Z. Rochebin theksoi faktin se në Zvicër ekziston një shtresë që integrohet dhe një që nuk integrohet dhe që merret me kriminalitet. Pavarësisht këtij realiteti të hidhur, Hashim Thaçi nuk deshi të ndalet në këto raste të errëta, të cilat nuk i përkasin vetëm komunitetit shqiptar. Ai përmendi rastet pozitive, në të cilat duhet të fokusohemi më shumë. Tashmë, tha ai, unë kam takuar plot shqiptarë që janë të integruar, shumë të rinj që kryejnë studime të larta dhe që punojnë. Gjithë kjo është bërë realitet falë mundësive që shteti zviceran u ka ofruar atyre dhe kjo ndihmë është shumë e rëndësishme, në veçanti për të gjithë ata që kanë lindur në Zvicër.
Kryeministri Hashim Thaçi nuk harroi të përmendë futbollistin Xherdan Shaqiri, si dhe shumë lojtarë kosovarë, të cilët janë në ekipin nacional të Zvicrës. Ky realitet bën që popullata kosovare mbështet ekipin nacional zviceran, edhe pse shpreson që së shpejti edhe ekipi nacional i Kosovës do të mund të garojë gjithashtu. Në lidhje me këtë Thaçi falënderoi z. Blatter për pozicionimin e tij të qartë në favor të pjesëmarrjes së Kosovës në FIFA.
Hashim Thaçi dhe akuzat e Dick Marty-t
Hashim Thaçi shprehu në mënyrë të qartë ndjeshmërinë e tij rreth akuzave të Dick Marty-t. Ai quajti akuzat e Dick Marty-t “si një projekt pamflet, i cili ka për motivacion shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës”. Ai, tha Thaçi, “është i njohur për qëndrimet e tij kundër Kosovës”. Sipas kryeministrit, raporti i lartpërmendur është një “raport fantastik, i cili fyen familjen dhe popullin tim. Prandaj, edhe kërkoj nga Eulex-i të kryejë punën tij për të zbuluar të vërtetën”, shtoi Kryeministri.
Imazh i zymtë i Kosovës në nivel ndërkombëtar
Darius Rochebin nuk e la pa e theksuar imazhin e zymtë që Kosova ka në nivelin ndërkombëtar. Ai nuk mungoi të përshkruajë imazhin e Kosovës, duke thënë se tani për tani Kosova duket si një shtet me shumë kriminalitet, ku zhvillohen trafiqet e ndryshme, sikur të drogës, pa harruar edhe akuzat e formuluara për trafikimin e organeve.
Prandaj edhe mund të shtrohet pyetje: Si përgjigjet Kryeministri në mesin e ndërkombëtarëve kur përballohet me këto akuza, çfarë është argumenti i tij për të dëshmuar se Kosova nuk është vetëm kriminalitet dhe korrupsion.
Pa mohuar këtë realitet, Hashim Thaçi dha këndvështrimin e tij për të shpjeguar atë. Shteti i Kosovës është formuar në gjirin e një zone konflikti, i cila përfshin Kroacinë, Bosnjën, krizat e ndryshme të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke mos harruar edhe krizën e vitit 1991 të Shqipërisë. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ajo po zhvillohet, mund të thuhet se Kosova ka shënuar disa përparime të rëndësishme.
Në përfundim të kësaj interviste, Kryeministri u shpreh rreth çështjes se paqes në rajon, duke theksuar faktin se populli shqiptar nuk duhet të bëhet viktimë e të kaluarës.
Sa për anën teknike, gjatë këtij emisioni, në përgjithësi, mund të vështrohet se cilësia e përkthimit ka ndikuar dukshëm në artikulimin e mesazheve të Kryeministrit.
E-Diaspora
-
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare,... -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati -
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik










