Lajme

Mediet kosovare nuk gëzojnë liri të shprehjes

Nga Pulsi Publik i UNDP së rezulton se 60% e kosovarëve mendojnë që mediet kosovare nuk gëzojnë liri të shprehjes

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, kanë lansuar Dokumentin e veprimit për lirinë e shprehjes në media dhe rolin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Në një tryezë u tha se nga Pulsi Publik i UNDP së rezulton se shumica e kosovarëve (60%) mendojnë që mediet kosovare nuk gëzojnë liri të shprehjes.Raporti Pulsi Publik, ofron analiza të vlefshme të perceptimeve publike në kohën kur Kosova konsolidon demokracinë dhe bën përparim drejt fuqizimit të institucioneve dhe qeverisjes së matur.Ndërkaq, të gjeturat e fundit të Pulsit Publik, tregojnë për një rënie të përgjithshme në kënaqshmërinë e publikut me punën e institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore.

Indeksi i përgjithshëm i demokratizimit ishte në 0.92, gjë që tregon që shumica e njerëzve nuk mendojnë që procesi i demokratizimit është duke shkuar në drejtimin e duhur. Përgjegjësia kryesore për situatën aktuale politike në Kosovë bie mbi Qeverinë e Kosovës (54%), pasuar pastaj nga partitë politike (17%), dhe EULEX (9%). Ndërkohë, kosovarët kanë identifikuar si probleme kryesore me të cilat ballafaqohen papunësinë (30%), varfërinë (29%) dhe korrupsionin (11%). Për më tepër treguesit e demokratizimit kanë dëshmuar se vetëm një e treta e kosovarëve besojnë që Kushtetuta e Kosovës dhe Ligjet e Kosovës janë demokratike dhe respektojnë të drejtat e njeriut, që pushtetet komunale punojnë sipas prioriteteve të qytetarëve të tyre, dhe që mediet gëzojnë lirinë e shprehjes apo që zgjedhjet janë demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.Në tryezë u tha se qershori 2011 tregon rënien më të madhe në perceptimin publik që mediet në Kosovë gëzojnë liri të shprehjes. Rezultatet tregojnë që vetëm një e treta e kosovarëve pajtohen që në Kosovë ekziston liria e shprehjes.Deri në nëntor 2011, diskutimet dhe vëmendja më e madhe kaqenë mbi mungesën e qasjes dhe informacionit lidhur me intervenimin e qeverisë së Kosovës gjatë muajit korrik në Veri të Kosovës. Po ashtu të gjeturat nga Pulsi Publik tregojnë që mediet janë burimi kryesor i informacionit për praninë e korrupsionit (54.9%) dhe krimin e organizuar (69.5%) në Kosovë. Kështu që opinioni publik është kryesisht i formësuar dhe krijuar nga informata që vijnë përmes medies dhe jo bazuar në përvojat personave të njerëzve me sjellje korruptive.Por, nga ana tjetër, shihet një rënie në besueshmërinë që mediet gëzojnë liri të shprehjes.Ndërkohë, në kuadër të medieve kosovare, gazetarët janë bërë gjithnjë e më të artikuluar mbi pengesat me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre, identifikimin e sfidave në legjislacion dhe në kontekstin e punës në terren, si dhe nevojave për ngritjen e kapaciteteve shtesë dhe shërbimin e informacionit. Në maj 2011, kohë kjo kur perceptimi i publikut nëse mediet gëzojnë lirinë e shprehjes filloi të bjerë, AGPK ka zhvilluar një studim me rreth 100 gazetarë mbi temën e lirisë së shtypit në Kosovë. Të gjeturat kryesore kanë dëshmuar që gazetarët besojnë që qeveria është cenzuruesi kryesor i lirisë së shprehjes, pasuar nga partitë politike dhe gjyqësori. Këto të gjetura përkojnë me të gjeturat e Pulsit Publik mbi këndvështrimet e opinionit publik që qeveria dhe partitë politike janë përgjegjësit kryesor për situatën aktuale politike dhe ekonomike.Anketa e fokuson vëmendjen tek fakti që varësia financiare e medieve ka ngulfatur lirinë e shtypit. Qeveria e Kosovës akoma vazhdon të jetë punëdhënësi dhe biznes kontraktuesi më i madh. Rrjedhimisht është edhe reklamuesi më i madh në medie. Prandaj pushteti qëndror dhe komunal ushtrojnë një shkallë të lartë të influencës në qëndrueshmërinë e medieve dhe suksesit apo vështirësive financiare, duke qenë që ka ndodhur që institucionet kosovare kanë kushtëzuar raportimin pozitiv në shkëmbim të reklamave. Gjatë tri viteve të fundit, autoritetet qeveritare janë akuzuar se kanë mbështetur në mënyrë indirekte disa medie që kanë ofruar mbulim të favorshëm, duke provuar të dëmtojnë financiarisht zërat më kritik duke tërhequr reklamat. Në një fokus grup të organizuar nga UNDP ja me gazetarët e Kosovës, të mbajtur në mars 2012, gazetarët kanë bërë dallimin mes ndikimeve që vijnë nga qeveria ose partitë politike, dhe ndikimeve nga ana e pronarëve të medieve/kryeredaktorëve të cilët kanë interesa të ndërthurura politike apo biznesore.Kufizimet nëpër redaksi janë evidente përmes përkuljeve apo animeve politike të kryeredaktorëve, të cilat tejkalojnë standardet etike dhe të pavarura. Në këtë mënyrë, gazetarët humbin vullnetin e mirë profesional dhe paanshmërinë, pasiqë mungon mbështetja e nevojshme nga ana e medieve të tyre dhe shpesh rrezikojnë të humbin punën në rast se nuk i përmbushin të priturat nga redaksia.Pengesa më e madhe ka qenë mungesa e sigurisë, dhe atë pjesërisht për shkak të kërcënimeve, sulmeve dhe shtimit të numrit të rasteve në gjykata. Kërcënimet ndaj gazetarëve shfaqen qoftë në mënyrë direkte përmes shantazhimit apo presioneve të ushtruara nga ata në autoritet apo pushtet, apo madje edhe direkt siç ishte rasti vitin e kaluar për dhunë fizike.